Feja kundër “nënave me qera”/ “Hap derën e abuzimeve, në lojë dinjiteti njerezor”

schedule16:00 - 24 Prill, 2024

schedule 16:00 - 24 Prill, 2024

Debati për lejimin e nënave me qera në Shqipëri ka bërë bashkë 3 komunitetet kryesore fetare në vend, duke i ndarë edhe njëherë nga mjekësia moderne. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, për ta sjellë huazimin e një gruaje për të bërë nënë një grua tjetër, si një revolucion për zgjidhjen e problemeve të fertilitetit, ata që i kanë dedikuar jetën krijuesit, nuk bien dakord.

“Mënyra se si është interpretuar nga shkollat Islame në kohën që ne jetojmë, gjykimi është që është e ndaluar fetarisht. Sepse kjo gjë hap derën e abuzimeve”, tha imami Ahmed Kalaja.

“Ka disa elementë për të cilat besimi katolik nuk është dakord. Kjo nuk ka të bëjë me elementet teknike se si ndodh, por së pari është në lojë dinjiteti njerëzor”, tha motër Teuta, murgeshë.

Sorrogato është një diçka e dorës së dytë, diçka e papërfillshme, diçka jo e mirë, vetë fjala fyen personin, atë grua, atë zonjë e cila do të kryejë atë akt për të marr në shpërblim disa para“, u shpreh At Nikolla, Prift i kishës Ortodokse në Tiranë.

Argumentat për të kundërshtuar këtë projektiligj nuk iu mungojnë.

“Gratë mund ta shfrytëzojnë këtë gjë thjesht që mos të prishin linjat e tyre, pa asnjë lloj arsye tjetër. Gjë tjetër është që kjo mund të hapi rrugë për çiftet e të njejtës gjini për të krijuar familje”, shtoi imami.

“Ky fëmijë që po vjen në jetë nëpërmjet një nëne tjetër, është fëmija i një çifti. Çifti njërëzor këtu nuk është i angazhuar për të sjellë në jetë një fëmijë. Ndonjëherë nuk janë as për arsye shëndetësore, por për arsye komoditeti”, theksoi motër Teuta.

Nëse gjithësecili nga ne sot do të merrte vesh se ka ardhur në jetë nga një nënë sorrogato do ndihej mirë? Unë do kisha një thirrje sot për të gjithë ata ligjvënës, që kanë ardhur në pushtet nga votat tona, ta vënë gishtin nga vetja e vetë“, shtoi At Nikolla.

Jo vetëm shkenca dhe feja nuk bien dakord me këtë projektligj, por edhe vetë qytetarët në Shqipëri, janë të dyjëzuar.

“Patjetër që të lejohet. Nëse kjo është mundësi për një çift që të bëhet me fëmijë pse jo, nuk ka asgjë të keqe”.

“Çfarë është kjo nënë me qera. Jo nuk jam fare dakord. Më mirë të birësosh një fëmijë. Unë personalisht sot jam vetëm, dhe po të kthehesha pas në kohë do kisha birësuar një fëmijë”.

Një tjetër pikë që i bën bashkë të gjithë besimet fetare, është prioriteti i familjes së shëndetshme. Vënë përballë pyetjes se çfarë duhet të bëjë një çift që këtë ka alternativë të vetme për tu bërë prindër, secili prej tyre i përgjigjet kështu.

“Feja islame thotë se nëse një çift nuk sjellë në jetë një fëmijë, atëhere burri mund të martohet me një grua tjetër, dhe ta mundësojë këtë gjë”.

“Mund të shohin birësimin si një alternativë. Jo të gjithë e kanë të drejtën të bëhen prindër, dëshira mund të jetë e të gjithëve, por nuk është e thënë që duhet patjetër të sjellin në jetë fëmijë”.

“Gabimin mund ta shohin të vetja. Kur zoti dhe natyra nuk ja jep këtë mundësi, pse duhet ta kërkojnë me patjetër?”

Pas dërgimit të këtij projektligji në parlament, që pritet të marrë vendimin në datën 12 maj, të gjithë komunitetet fetare në vend, kanë paralajmëruar një reagim zyrtar, për të shprehur mendimet e tyre si grup interesi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!