Kryeministri indian Narendra Modi votoi këtë të martë në fazën e tretë të zgjedhjeve të përgjithshme të Indisë.
Modi, i cili kandidon për mandatin e tij të tretë, hodhi votën e tij në një qendër votimi në qytetin perëndimor indian Ahmedabad, në shtetin e Gujarat.
Në një mesazh në rrjetin social X, Modi u bëri thirrje indianëve të votojnë dhe në këtë mënyrë të “forcojnë demokracinë”.
Analistët parashikuan fitoren e Narendra Modit edhe para fillimit të zgjedhjeve, të cilat mbahen nga 19 prilli deri më 1 qershor, në gjithsej shtatë faza.
Kritikët e kryeministrit thonë se tradita e diversitetit dhe laicizmit të Indisë është sulmuar që kur BJP erdhi në pushtet një dekadë më parë. Ata e akuzojnë partinë për nxitje të intolerancës fetare dhe ndonjëherë edhe dhunës. Partia i përgjigjet këtyre akuzave duke pretenduar se politikat e saj përfitojnë të gjithë indianët.
Pothuajse 970 milionë votues, më shumë se 10 për qind e popullsisë së botës, zgjedhin 543 anëtarë të dhomës së ulët.
Votat do të numërohen më 4 qershor nga gjithsej 28 shtete në Indi./abcnews.al