Favorizuan trafikun e klandestinëve, zëvendësohen shefat dhe policët e pezulluar në Korçë

schedule12:12 - 25 Tetor, 2021

schedule 12:12 - 25 Tetor, 2021

Janë zëvendësuar shefat dhe policët e pezulluar në Korçë 5 ditë më parë. Të pezulluar janë dy shefa, ai i komisariatit Krenar Gjokutaj dhe ai i qarkullimit rrugor Klemend Pikuli si edhe katër policë.

Në vendin e tyre janë komanduar shefi i sigurisë rrugore Eduard Liço i cili  zëvendëson përkohësisht shefin e Qarkullimit; Kurse shefi i Krimeve të Komisariatit Qemal Hoxhaj zëvendëson përkohësisht shefin e Komisariatit.

Ndërkaq gazetarja e ABC Xhensila Kodra raporton se Ilir Proda zëvendës drejtor për hetimin e krimit në Korçë shkon zv Drejtor i Policisë të Elbasanit dhe në vend të tij emërohet Ermal Muça.

Nga ana tjetër burime pranë drejtorisë vendore të policisë së qarkut të Korçës thanë se deri në ardhjen e shefit të ri të komisariatit të Korçës kompetencat i kanë kaluar shëfit të krimeve të këtij komisariati Qemal Hoxha. Të njëjtat burime thanë se deri në emërimin e përgjegjësit të ri të sektorit të qarkullimit të kësaj drejtorie pas pezullimit te Klement Pikuli detyrat do të kryhen nga shefi i sigurisë rrugore Eduart Liço.

Po brenda kësaj jave kryepolici Gledis Nano pritet të bëjë dhe ndryshimet në radhët e shefave të komisariateve në Tiranë dhe qarqe të tjera në vend. Një javë më parë Nano bëri ndryshime të drejtuesve të strukturave vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit. Ndryshimet kanë ndodhur thuajse në çdo qark, përveç Beratit.

Por si u zbuluan të pezulluarit dhe për cfarë akuzohen?

Prokuroria dhe SHÇBA vepruan pas informacioneve se punonjësit e policisë së qarkullimit Korçë lejonin apo toleronin persona që transportonin emigrantë të paligjshëm. Nuk kryheshin kontrolle tek automjetet e dyshuara. Shmangeshin kontrollet në akset ku dyshohej kalimi i trafikantëve. Po i njëjti burim tha se nga përgjimet është mësuar se punonjësit nuk kryenin kontrolle në disa lokale në qytetin e Korçës duke lejuar shkeljen e orës policore. Efektivët kanë qenë në vëzhgim prej dy muajsh, ku në “rrjetë” ranë edhe kolegët e tyre të Tiranës. Por nuk mbaron këtu. Një burim nga drejtoria e Policisë së Korçës i tha “ABC”-së se pritet që të ketë arrestime të tjera në vazhdim.

Të pezulluar nga detyra;

  1. Krenar Gjokutaj me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Korçë.
  2. Petro Fraholli specialist për qarkullimin rrugor Korçë.
  3. Klemend Pikuli me detyrë Shef Sektori i Qarkullimit Rrugor në DVP Korçë.
  4. Genci Hysi me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë.
  5. Clirim Akrobati me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë.
  6. Kamber Kllogjeri me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë. be.k/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!