Nga Erblina Mile
Faturimi online i bizneseve në Shqipëri do të nisë në 1 janar të vitit 2021 dhe pritet të ndryshojë mënyrën e raportimit të shitjeve për biznesin pranë administratës tatimore.Drejtoria e Tatimeve Delina Ibrahimaj bën me dije se të parët që do të zbatojnë procesin e ri do të jenë bizneset që kryejnë transaksione me shtetin.Tashmë këto subjekte janë informuar dhe po trajnohen.
Drejtorja e Tatimeve pranon që ky proces do të ketë kosto për bizneset në vend por bën me dije se do të ofrohet falas për bizneset e vogla të cilat kanë më shumë vështirësi. Subjektet e vogla do të kenë si detyrim vetëm të aplikojnë për të bërë nënshkrimin elektronik i cili do të ketë një vlerë prej 4 mijë lekësh në vit.
“Janë rreth 7600 subjekte të cilët gjatë vitit 2020 kanë kryer transaksione dhe kanë marrë informacion në rrugë elektronike dhe në rrugë shkresore për detyrimet që ata kanë”, thotë Ibrahimaj.
Një ndër shqetësimet e ngritura nga biznesi është se si do të veprohet në zonat ku nuk ka internet por drejtorja e tatimeve sqaron se të dhënat do të dorëzohen fizikisht në këto raste. “Është një mënyrë e re e faturimit dhe çdo zhvillim ka kostot e veta”, thotë ajo
Qeveria shqiptare parashikon që fiskalizimi do të ndikoj në rritjen e të ardhurave në buxhet por edhe në uljen e informalitetit.
Fiskalizimi do të ndahet në tre pjesë. Në datën 1 janar do të nisë aplikimi për transaksionet biznese-ente publike,në 1 korrik biznes me biznes dhe në 1 shtator të gjitha transaksionet do të kryhen online./mv.abcnews.al