Lulzim Basha u rikthye në zonat e prekura nga tërmeti në Durrës për të parë trajtimin e banorëve dhe përfaqësuesve të biznesit dy muaj pas lëkundjeve të forta të 26 nëntorit. Por refuzimi i qeverisë për të pranuar zgjidhjet që opozita ofroi, për kryedemokratin po e çon Durrësin drejtë një krize humanitare.
“Po fillon të futet në dimesionin e tretë të krizës. Shëndeti i të sëmurëve, gjendja e biznesit dhe çfarë impakti ka te ekonomia e Durrësit. Paratë për oligarkët i ka, ndërsa këtej presim për bonusin”, theksoi kryedemokrati.
Basha dha edhe formulën e zgjidhjes që ai vetë do të kishte përdorur nëse do të ishte kryeministër.
“Ka një zgjidhje, gjëja e parë që do bëj është anulimi i koncensioneve. Të gjithë paratë që do të shkonin në koncesione do ti ktheja në ndihmë për njerëzit”, u shpreh Basha.
Banorët folën për fatura që po shtohen çdo muaj, ndërkohë që vetë ata kanë braktisur banesat e dëmtuara.
“Faturat nuk kanë harruar ti sjellin, gjithçka tjetër kanë harruar ti sjellin, ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama”, tha Basha.
Kryedemokrati u takua edhe me përfaqsues të botës së biznesit, të cilëve i kujtoi se dimri ekonomik që kishte paralajmëruar për Durrësin po i jep efektet pas tërmetit.
“Kanë filluar efektet e para të asaj që e kam quajtur dimri ekonomik. Më thonë që afro 25% më shumë është rritur falimentimi i biznesit të vogël, ndërkohë që kosto që ka përcjellë tërmeti po fillon të ndjehet dhe po përkthehet në largim njerëzish nga puna”, tha ndër të tjera Basha.
Partia Demokratike akuzon qeverinë për menaxhimin e situatës pas tërmetit të 26 nëntorit, duke kërkuar lehtësia për banorët dhe bizneset e prekur nga dëmet./abcnews.al