I ftuar në “Abc News” deputeti socialist, Ervin Bushati deklaroi se qeveria ka bërë një reagim të shpejtë për të menaxhuar situatën pas tërmetit. Bushati theksoi se në kohë rekord janë sjellë ndryshime për të gjithë strukturën e buxhetit, ku 20 miliardë lekë do shkojnë për rindërtimin. I pyetur disa herë nga gazetari Endri Xhafo se sa është fatura financiare për dëmet, Bushati tha se ajo nuk ështe përpiluar ende.
“Qeveria pati një reagim të shpejtë për të qenë pranë njerëzve, në fazën 80 % është mbyllur kontrolli i parë i banesave që janë më të dëmtuara. Reagimi ka qenë i shpejtë, të gjithë qytetarët janë vendosur në banesa të përkohshme. Po procedohet për mënyrën se si ti ndihmojmë familjet të kthehen sa më shpejt në jetën e përditshme. Në kohë rekord janë sjellë ndryshime për të gjithë strukturën e buxhetit. Janë falur 20 apartamente dhe 2 mijë banorë kanë fituar bonuse qiraje. Është parashikuar një shumë e buxhetit të shtetit prej 20 miliard lekësh që do të shkojnë për rindërtim. Jemi në fazën e parë, kostot janë akoma duke u matur”, deklaroi Bushati.
I pyetur për kërkesën e PD-së e cila ka theksuar se duhet bërë një rialokim i fondeve, Bushati tha se opozita ka vendosur të bëjë politikë.
“Është e drejta e saj të zhbëjë punët tona. Sot nuk është koha për të parashikuar se si do të jetë gjithçka që do të ndodhi. Opozita ka një ide, është argument i tyre politik për të ngritur strukturat. Në këtë situatë kryeministri dhe mazhoranca e vlerëson se kërkohet një ndihmë e shtuar”, tha ndër të tjera Bushati./abcnews.al