Fatos Lubonja: Më dënuan për shkrimet e fshehura në tavan! Im atë ishte kritik, shprehej në familje

schedule23:25 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 23:25 - 4 Dhjetor, 2020

Fatos Lubonja rrëfen përjetimet në vitet e komunizmit. Në një intervistë me gazetarin Baton Haxhiu në emisionin “Tiranë-Prishtinë” në ABC, Lubonja tha se frika hyri që në periudhën gjatë luftës ndërsa rrëfen se si daja i tij me profesion aktor dhe regjisor u largua drejt SHBA pasi një person u pushkatua.

“Siç e kuptoj unë dhe siç e kujtoj, prindërit e mi kanë pasur një proces. Folëm për luftën. Mendoj se kanë qenë me idealet në atë kohë. Pastaj ka hyrë edhe frika. Frika në partinë Komuniste ka hyrë që gjatë luftës kur dëgjoheshin eliminimet. Pastaj janë përzier edhe idealet. Unë kam pasur një dajë që ishte aktor dhe regjisor por nuk ishte komuniste edhe iku. Ai mori vesh se pushkatuan një person dhe qëndroi në Amerikë. Lidhja me Bashkimin Sovjetik për një pjesë ishte shumë e rëndësishme. Pastaj u pa qartë pragmatizmi për pushtet i Enver Hoxhës”, tregon Lubonja.

Ai u shpreh se asokohe nisi një përpjekje për një lloj gjuhe të dyfishtë, pasi njerëzit ndryshe mendonin dhe flisnin. Lubonja deklaroi se babai i tij ishte ndër ata persona që mendonte dhe shprehej në familje duke përhapur një ndikimi edhe tek vetë ata. Ai kujtoi kohën kur nisi të lexonte libra prej ku frymëzohej për shkrimet për të cilat u dënua me burg, të cilat i kishte fshehur në tavan dhe që ranë në duart e Sigurimit të Shtetit.

“Në familjen time filloi një reflektim për një lloj jete dhe gjuhe të dyfishtë, ndryshe e mendojmë dhe ndryshe e flasim. Babai im duhet të fliste në konform postit dhe nga ana tjetër i rriteshin pakënaqësitë.  Pa dyshim që nuk besoj se kanë dashur një përmbysje të revolucionit dhe nga ana tjetër kanë rishikuar këtë. Për të ardhur te periudha e fundit, im atë ishte kritik. Shumë mund të kenë qenë kritik por nuk kanë qenë në familje. Në komunizëm ishte fenomeni i njeriut që nuk mendon se është më komod duke reshtur së menduarit. Im atë nuk ka qenë ndër këta, ka menduar dhe i ka shprehur mendimet edhe në familje. Unë jam dënuar për shkrimet e fshehura në tavan që m’i gjeti Sigurimi i Shtetit.

Kjo vinte nga librat që lexoja dhe kështu ishte edhe një brez i imi që kishte edhe prindërit në pushtet por si rini mendonte ndryshe, Në këtë proces ka një moment kur në botë ndodh revolucioni i 68 për të sjellë një ndryshim.  Enver Hoxha ishte më në kontakt se ne dhe unë mendoj se ndoshta edhe në këtë ndikim por edhe për shkak të lëvizjes ndryshe në Kinë Enver Hoxha mbajti dy fjalime, një fjalim të Matit dhe një bisedë me Agim Meren duke hedhur tezat për liberalizim. Duke thënë se brezi i ri duhet të marrë stafetën dhe rinia të marrë muzikën këtu. Asnjëherë nuk dihet nëse këtë Enver Hoxha e bëri me bindje apo pragmatizëm. Im atë i kishte manifestuar prirjet më afër intelektualëve dhe e solli Todin drejtor të televizionit. Këtu lindi një pikëpyetje sot e kësaj dite. Realisht ne jemi në hipoteza. Ka mundësi që pjesa konservatore u ndje e përjashtuar dhe sigurimi influencoi për t’i ndërruar mendjen ose e kishte si strategji për të parë si do lulëzojnë lulet”, u shpreh Lubonja në Tiranë-Prishtinë në ABC.

Fatos Lubonja u burgos në moshën 23-vjeçare së bashku me disa familjarë të tij qëndroi në burg për 17 vite në burg. Me të fituar lirinë, Lubonja u angazhua si sekretar i përgjithshëm në Komitetin Shqiptar të Helsinkut deri në vitin 1993, organizatë që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Një vit më pas ai themeloi revistën  “Përpjekja”, botimi i së cilës vazhdon edhe sot./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!