Fatmir Mëneri flet për superligën dhe ekipin që rrezikon të bjerë nga kategoria

schedule14:30 - 20 Maj, 2019

schedule 14:30 - 20 Maj, 2019

Tirana mund të quhet kandidate numër 1 për të rënë nga Superliga. Gazetari sportiv Fatmir Mëneri, bën analizën e skuadrës kryeqytetase, kur mbeten edhe dy javë deri në përfundim të sezonit

E gjykon gjendjen shumë të vështirë. Tirana i duket shumë pranë rrezikut maksimal, një njeriu që e ka ndjekur shumë afër skuadrën bardheblu, si gazetar, por edhe si banor i vjetër i kryeqytetit. Fatmir Mëneri mendon se gjendja aktuale, me rënien e mundshme nga Superliga, ka arsyet e veta, shumë të forta.

“Sot është një kohë që s’të bën për burrë kush. Nuk peshojnë më as fanellat, as titujt, por lojtarët në fushën e lojës. Gjykoj se Tiranës nuk ia ka ngrënë kush hakun. Është një sintezë e një menaxhimi të gabuar në pikëpamjen administrative. Kur sheh një klub që nuk ndërton dot një skuadër, që nuk arrin dot të dalë nga qerthulli i borxheve të vazhdueshme është tregues që aty diçka nuk funksionon. Duke filluar nga presidenti që ende nuk është orientuar në këtë lloj tregu. Pastaj edhe njerëzit që e rrethojnë”, tha Mëneri.

Tirana me trajnerin Mema zhvilloi shumë ndeshje të mira, ndërsa tani ka humbur edhe loja.

“Varet me ndeshje. Ndoshta u krijuan dhe iluzione me Tiranën. Skuadra është e një niveli mediokër, kam parasysh që edhe specialistët që e kanë drejtuar Tiranën”, tha Mëneri.

Mëneri mendon se Tirana duhet të dijë ta respektojë kampionatin, siç bëri këtë sezon Partizani.

“Nuk e shoh ndonjë qamet të madh këtë vit sjelljen e Partizanit, kur është thënë që kërkon të jetë e qetë, të mos bëjë zhurmë, të ketë marrëdhënie të mira me federatën. Nuk është se kam parë ndonjë lloj servilizmi. Është një sjellje korrekte, profesionale, kjo ka munguar”, tha Mëneri.

Nëse do të bënim një parashikim, si do të ishte ai i Fatmir Mënerit për Tiranën dhe Kastriotin, rivalët për mbijetesë?

“Përjashto pjesën e parë të kampionatit, kur Kastrioti është tallur me garën në këtë pjesë të dytë ka qenë vërtetë për t’u admiruar. Ndërsa Tirana ka pasur një sjellje në pikëpamjen teknike që ka lënë shumë për të dëshiruar. Ajo që vura re me Kastriotin ishte e frikshme, skuadra nuk ka moralin e duhur”, tha Mëneri./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!