Fati i “jetimëve” të Bashës/ Kthupi: Duhet të vazhdonim me betejën si një formacion i ri politik, jo duke u shpërbërë

schedule18:42 - 7 Gusht, 2024

schedule 18:42 - 7 Gusht, 2024

Ish eksperti ligjor i PD-së, Rezart Kthupi thotë se Lulzim Basha duhet të kishte krijuar një parti të re politike. Duke folur për largimin e tij nga grupi, ai tha për gazetarin Emilian Islami se ndërsa vijohej me çështjen e rekursit në gjykatë, Basha duhet të ndërmerrte veprime juridike për grupimin e tij.

“Nuk është se u larguam. Që të largohesh do të thotë të largohesh nga një formacion ligjor, nga i cili mendon se nuk mund të jesh më pjesë. Ajo që ndodhi ishte një vijimësi veprimesh që ne gjykonim se Basha duhet të kishte ndërmarrë. Që do të thotë se pas gjyqit të vulës, që ishte nje moment përcaktues në raport me atë që do të ishte fati juridik i PD, e cila i ngeli Berishës. Në momentin që PD si subjekt mbetet te Berisha, alternativa ishin ose të formësonim një grup të ri juridikisht të vlefshëm, që ai grupim që ishte të krijonte një entitet të ri juridik në formën e partisë politike, ose të vazhdohej një mosekzistencë juridike dhe të ruhej një grupim joformal që parashikon të ecë përpara drejt një destinacioni të panjohur. Kjo ishte dilema. Mesa duket pjesa më e madhe, më saktë qëndrimi i zotit Basha, vendosi që të vijojë me rekursin që është bashkues i palëve por ndërkohë të pritej përfundimi. Objektivi i individëve të tjerë si puna ime ishte që ky rekurs duhet të vijojë por nga krahu tjetër, duhet të vazhdonim për të ruajtur atë identitet të ri politik që kishim krijuar, duke krijuar një parti të re. E pamundur të ruash një formacion politik, strukturat dhe identitetin që ke nëse nuk je i formësuar nga ana juridike.”, tha Kthupi.

I pyetur nëse Basha është lideri politik që mund të sjellë demokratët në pushtet, në një kohë kur po i largohen shumë njerëz nga grupimi, Kthupi shtoi:

“Nuk është çështje sasiore. Ka qenë dhe është çështje parimore. Është një betejë që nuk varet nga sasia e numrave por nga parimet mbi të cilat bazohet. Parimet ishte të ruhej një entitet politik. Nuk arritëm ta fitonim këtë betejë dhe ndërkohë ky entitet politik duhet të vazhdonte mbi parimet që mbështeste, jo mbi çështje sasiore. Beteja nuk ishte për sasinë e demokratëve, problemi ishte që parimisht kjo pjesë e PD të ruhej në atë frymë që u krijuar. Duke qenë se kjo u bë e pamundur nga vendimi i gjykatës, kjo frymë duhet të vazhdojë të ekzistojë apo shuhet dhe për të vazhduar duhet të jetë në formën e një subjekti të ri politik dhe këtu ishte ndasia.“, shtoi Kthupi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!