Kolonel Sami Neziri ka deklaruar se ndaj Iranit pritet të përdoret një operacion hibrid, përfshirë sulme kibernetike për ndërprerjen e zinxhirit të komandimit dhe shtrëngim të sanksioneve ekonomike, si tarifat 25% ndaj vendeve që bëjnë tregti me Teheranin. Neziri thekson se deklaratat e Trump synojnë të nxisin dhe të forcojnë moralin e protestuesve.
“Besoj se do të përdoret një operacion hibrid, me sulme kibernetike për të ndërprerë komunikimin e zinxhirit të komandimit të forcave të sigurisë. Mund të ketë shtrëngim të sanksioneve ekonomike, përfshirë tarifa 25 për qind ndaj vendeve që bëjnë tregti me Iranin. Irani ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike dhe kjo do ta përkeqësojë edhe më tej gjendjen.
Deklaratat e Trump janë një mesazh për protestuesit, për t’u dhënë zemër dhe për t’u ngritur moralin që të vazhdojnë. Ka pasur protesta edhe më parë, por nuk kanë pasur këtë rezultat. Në ditët në vijim mund të presim më shumë ndërhyrje hibride nga amerikanët sesa një opsion të drejtpërdrejtë ushtarak.”
Eksperti Xhavit Shala tha se, sipas opozitës iraniane, rreth 3 mijë persona janë vrarë dhe se protestat janë përhapur në afro 190 qytete, përfshirë edhe disa lagje të Teheranit që kanë rënë nën kontrollin e demonstruesve. Megjithatë, Shala vlerëson se regjimi nuk pritet të bjerë në këto rrethana, pasi mungon një çarje e brendshme brenda sistemit dhe opozita jashtë Iranit mbetet pak e përfshirë.
“Bëhet fjalë për rreth 3 mijë të vrarë, sipas opozitës iraniane, e cila i ka nxjerrë këto shifra nga verifikimet e saj. Problemi kryesor në këtë situatë është se populli iranian ka vrarë frikën pas Revolucionit Islamik. Sipas të dhënave, lëvizja është përhapur në rreth 190 qytete, ndërsa disa zona kanë rënë nën kontrollin e demonstruesve, madje edhe në lagje të Teheranit.
Megjithatë, nuk mendoj se regjimi mund të bjerë në këto rrethana, pasi nuk ka një çarje të brendshme brenda sistemit dhe të regjimit që do ta përshpejtonte rënien e tij. Opozita jashtë Iranit nuk është shumë e përfshirë në këto zhvillime.”


