“Fati” i Belerit, KQZ shtyu vendimin/ Politologu Daci: Nuk mund të interpretohet një vendim i formës së prerë

schedule18:30 - 4 Korrik, 2024

schedule 18:30 - 4 Korrik, 2024

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të shtyjë vendimin në lidhje me vlefshmërinë për mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Avokatja e tij Klodiana Gjyzari kërkoi që nuk mund të jepet një vendim për mandatin e Belerit, pa qenë ai i pranishëm dhe të japë argumentet e tij.

Apeli i Gjykatës së Posaçme e shpalli fajtor për korrupsion në zgjedhjet lokale. Ai u propozua nga listat e koalicioni “Bashkë Fitojmë”, nga të cilat u zgjodh kryebashkiak i Himarës.

Por, gjatë 13 muajve në paraburgim Beleri nuk e ushtroi detyrën e tij edhe as u betua. Por si duhet interpretuar ky hap i KQZ, i cili shtyu vendimin për të premten me argumentin se Beleri mund të jetë i pranishëm në seancë, ashtu siç e kërkoi mbrojtja e tij.

Politologu Alban Daci, tha se çështja e Fredi Belerit është çështje e brendshme ligjore dhe nuk ka asnjë arsye për ta bërë atë një çështje europiane.

“Mendoj se çështja Belerit është politizuar dhe tashmë është ndërkombëtarizuar, edhe pse është çështje e brendshme e Shqipërisë”, tha ai.

Ai kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se nuk kishte kurajon e nevojshme për të marrë një vendim.

Sipas Dacit, në rastin e Fredi Belerit nuk kemi të bëjmë  me një çështje në hetim, por jemi përballë faktit ku gjykata tashmë e ka vulosur fajësinë e tij.

“KQZ ka pasur një mungesë kurajoje, sepse për mendimin tim do të kishte marrë një vendim. Nuk mund të interpretohet një vendim i formës së prerë. Nuk është se kemi një proces gjyqësor në lidhje me pafajësinë  tij. Është e papranueshme që është shtyrë brenda 24 orëve”, tha ai.

Ai theksoi se nëse KQZ nuk merr një vendim të premten, atëherë kjo vonesë do të thotë se ky institucion nuk po zbaton siç duhet detyrimet kushtetuese, për të cilat është ngritur.

“Në momentin që dikush regjistrohet si i pandehur, merr statusin e të akuzuarit, ai ka disa forma për të marrë njoftimet. Nuk kemi të bëjmë me një të pandehur, por kemi të bëjmë me një të dënuar. Hetimet janë mbyllur. Nëse KQZ nuk merr një vendim nuk përmbush detyrimet kushtetuese për të cilat është krijuar. Ka njëfarë tendence për të bërë sa më të butë rasatin e Belerit”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!