TIRANË- Gjykata e Lartë vendosi të martën të shtyjë me 12 mars seancën ku pritej të vendosej nëse hetimet për dosjen e “21 janarit” do të kryhen nga Prokuroria e Posaçme apo nga ajo e Tiranës.
Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Special Report” në ABC News, u shpreh se trendi i fakteve është se dosja hetimore për këtë çështje do të shkojë drejt SPAK-ut.
Sipas tij, kjo rrjedhë e hetimeve është një operacion i guximshëm dhe mund të konsiderohet si më i vështirë, por dhe më i suksesshmi, që mund të ketë patur ndonjëherë drejtësia shqiptare.
“Kemi të bëjmë më një gjë tjetër, që të paktën gjykohet. Trendi i fakteve është se çështja do të shkojë në SPAK. Kjo do të thotë besim të drejtësia, dhe një operacion i guximshëm për autorët e vrasjes dhe kjo do të konsiderohet si operacioni më i vështirë, por më i suksesshmi në drejtësi”, tha Çupi.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në vendimin e zbardhur për vrasjen e Aleks Nikës në protestat e 21 janarit ka bërë përgjegjës shtetin shqiptar për vrasjen por edhe për moszbardhjen e saj dhe ndëshkimin e autorëve.
Dosja për vrasjen e Aleks Nikës po hetohet prej 2 vitesh nga prokuroria e Tiranës që nuk ka dalë ende në një përfundim për autorësinë e krimit. Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë./abcnews.al