TIRANË- Partia Demokratike po kërkon farsën në procesin e rinumërimit të votave, por ky problem po shihet më shumë në radhët e saj pasi rezulton se ka trafikim të votës brenda kandidatëve në qarkun e Tiranës.
Deputeti i PD, Dashnor Sula, i ftuar në emisionin “Real Story”, u shpreh se i gjithë hallin që ka sot PD dhe Berisha është se dëshiron të largojë tensionet brenda grupit parlamentar.
“PD nuk do kokëçarje dhe debate që të ngrihet vala e debatit brenda grupit parlamentar, sepse aty merr më shumë vëmendje”, tha ai.
Analisti Roland Lami, tha se me rinumërimin, Partia Demokratike po përpiqet të zvarrisë procesin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja.
Ai u shpreh se nga hapja e kutive po dëshmohet se shkeljet dhe gabimet janë në nivele minimale dhe kjo po e rrëzon pretendimin e tyre se më 11 maj kishte një farsë elektorale apo forma të “trenit bullgar”.
Sipas tij, Partia Demokratike padashje po e legjitimon procesin e zgjedhjeve të 11 majit.
“Strategjia për ta zvarritur procesin është e lexueshme. Zvarritje për t’i dhënë kohë doktorit që të jetë sa më i qetë dhe të sfumohet nga ai rezultat humbës madhështor që u mor në zgjedhje. Duke tentuar të zgjasin sa më shumë procesin, në finale çfarë prodhon?
Nga një hapje kutie në tjetrën, shikon që minimizohet shkelja, fillon dhe bëhet më e kuptueshme loja që ti bën dhe bëhet legjitim dhe procesi pavarësisht se mund të ketë patur ndonjë shkelje në momente të caktuara dhe duke e verifikuar që shkeljet janë minimaliste e bën më legjitim procesin, i gjithi si ka vajtur.
Në llogaritë e fundit të PD, pavarësisht se mund të mendojë se zvarritja i bën mirë PD , i bën mirë kryetarit dhe duke mos gjetur shkeljet e pritshme apo shkelje modeste në raport me çfarë trumbetohet në publik e bën më legjitim procesin, e kthen në bumerang. Padashje po e legjitimon procesin, jo vetëm në syrin e vet, por e edhe në sytë e publikut.”, tha ai./abcnews.al