Farmacistët: Të vaksinohemi! Na trajtojnë si shitës

schedule17:53 - 5 Shkurt, 2021

schedule 17:53 - 5 Shkurt, 2021

Nga Ema Shazivari

Farmacistët kërkojnë të jenë pjesë e skemës së vaksinimit anti-covid.

Sipas presidentes së urdhrit të farmacistëve Diana Toma, kjo kategori është e rrezikuar njësoj si bluzat e bardha.

Ata kërkojnë 5000 vaksina për të mbuluar të gjithë farmacistët në vend me të dy dozat.

“Për këtë kategori, që ne pretendojmë të futet në kategorinë e profesionistëve me risk, duhen jo më shumë se 5000 doza. Duke llogaritur që për çdo koleg duhen 2 doza”, shprehet një nga farmacistët.

Duke qenë se gjatë kësaj periudhe të pandemisë ka pasur mjaft raste të farmacistëve të prekur nga koronavirusi, kreu i urdhrit Diana Toma kërkon që kjo kategori të jetë pjesë e skemës së vaksinimit nga autoritetet shëndetësore.

“Kjo kërkesë i referohet domosdoshmërisë së vaksinimit të të gjithë bluzave të bardha. Kanë qenë subjekte të hapura, dhe jo nga dëshira, por sepse e kishin detyrim profesional, që në një situatë pandemie të gjendeshin në shërbim. Dhe cili është kontingjenti që vete pranë farmacive ose pacienti direkt, ose i afërmi i pacientit, që në vetvete është një risk i shtuar”, thotë Toma.

Toma tregon se ka pasur jo vetëm të infektuar nga kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët, por edhe humbje jetësh në moshë të re të farmacistëve.

“A ka pasur humbje jete? Po, fatkeqësisht kemi pasur në radhët tona kolegë dhe në moshë të re të cilët nuk kanë arritur t’ia dalin betejës me infeksionin”, shprehet ajo.

Por edhe pse Ministrisë së Shëndetësisë i ka shkuar kërkesa zyrtare, Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma thotë se nuk ka pasur asnjë reagim.

“Shkresa për hir të së vërtetës është dërguar dje. Nëse do kishte pasur dashamirësinë për ta zgjidhur këtë situatë, do ishte zgjidhur”, shton më tej ajo.

Urdhri i Farmacistëve ngre shqetësimin se punonjësit në këtë sektor ndjehen të diskriminuar pasi trajtohen nga shteti si shitës dhe jo si të diplomuar në fakultetin e mjekësisë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!