“Far West” në Kallmet, arrestohet i plagosur administratori, u përplas me armë me autorin, zbardhet ngjarja

schedule09:33 - 2 Prill, 2022

schedule 09:33 - 2 Prill, 2022

Në spitalin e Traumës aty ku ndodhet i plagosur pas shkëmbimit me armë zjarri, i është komunikuar masa e arrestit kreut të Njësisë Administrative Kallmet, Besnik Simoni.

Policia ka zbardhur ngjarjen ditën e sotme dhe bën me dije se ka pasur shkëmbim zjarri mes autorit, Altin Marku 41 vjeç dhe administratorit. I plagosur ka mbetur edhe autori i cili dyshohet se i ka zënë pritë Simonit pas një debati që ka pasur me të në zyrë.

Rreth orës 13:15, në fshatin Kallmet, pas një konflikti për motive të dobëta, të dy kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit dhe për pasojë ka mbetur i plagosur Simoni. Ky i fundit pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Altin Marku është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur për disa orë, deri sa është lokalizuar dhe është arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Në vijim të dy janë arrestuar dhe akuzohen për të njëjtat vepra penale:  “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”; Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. M., si dhe dy automjete. Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.

Si ndodhi ngjarja

Burime nga Tauma thanë se Simoni është qëlluar me 3 plumba. Ndersa një person tjetër që ndodhej në makinë ka shpëtuar pa lëndime. Disa orë më pas, në spitalin e Traumes mbërriti edhe autori i dyshuar i krimit. 4 orë pas plagosjes së Simonit, Altin Marku u ndalua nga policia në banesën e një fqinji në fshatin Kallmet. Ai kishte plagë plumbi në shpatull, dhe sipas policisë është plagosur nga përgjigjia e administratorit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13.30 në Kallmet. Sipas dëshmive të para, Altin Marku qëlloi me breshëri drejt makinës me të cilën lëvizte kreu i njësisë administrative, duke e lënë të plagosur. Atentati ndodhi rreth 3 orë pas një debati që autori i dyshuar Marku pati me administratorin e Kallmetit,  në zyrën e këtij të fundit. Burimet i thanë abc-së se Marku dhe Simoni edhe një vit më parë kanë pasur një debat me njeri-tjetrin, por nuk dihet arsyeja e tij. Grupi hetimit pasi mbërriti në vendin e ngjarjes mori disa dëshmi për sherrin, ndërsa po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së saj.

Njoftimi i policisë

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 01.04.2022, në Kallmet të Lezhës, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbeti i plagosur kryetari i Njësisë Administrative Kallmet, shtetasi B. S., shërbimet e Policisë, pas disa orë kërkimesh, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. M., i cili në momentin e kapjes është konstatuar se ka qenë i plagosur me armë zjarri, për këtë arsye është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, ku ka rezultuar se: Më datë 01.04.2022, rreth orës 13:15, në fshatin Kallmet, Lezhë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit e lartpërmëndur kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi B. S., i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shtetasi A. M. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur për disa orë, deri sa është lokalizuar dhe është arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Kallmet-Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”; B. S., 42 vjeç, banues në fshatin Kallmet, Lezhë, me detyrë administrator i Njësisë Administartive Kallmet, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. M., si dhe dy automjete. Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!