Familjari i Krasniqit: Është nisur drejt Hagës me avion, nuk e dimë a ka mbërritur

schedule22:13 - 4 Nëntor, 2020

schedule 22:13 - 4 Nëntor, 2020

Familjari i Jakup Krasniqit, Dardan Krasniqi ka thënë se nuk kanë asnjë informacion nëse ish-zëdhënësi i UÇK-së ka arritur në Hagë.

“Ai është nisur nga shtëpia drejt në Hagë me një avion që është aranzhuar nga vet Specialja. Gjatë ditës ka ndodhur një bastisje nga ora 6:00 e mëngjesit deri në pasdite. Neve si familjarë nuk na është lejuar që të futemi brenda. Me zotin Krasniqi e kemi pasur të pamundur komunikimin. E pamundësi për t’u takuar kishim edhe në momentin kur ai u largua për në Hagë”, ka thënë Dardan Krasniqi në Debat Plus.

Më tej ai tha se Jakup Krasniqi ka qenë gjithmonë kundër dhe thotë se në vitin 2015 kur është votuar Spacialja nuk ka qenë deputet.

“Ka qenë konsistent. Kemi qenë të bindur se vendit i duhet drejtësi por jo atë drejtësi siç po e bën Gjykata Speciale”, tha ai.

Krasniqi thotë se me skenat e sotme nuk është përdhosur dinjiteti i ish-zëdhënësit të UÇK-së, por kanë treguar njëanshmërinë e Speciales.

“Vet profili i bacës Jakup është pedagog me profesion dhe asnjëherë nuk i ka bërë ballë drejtësisë”.

Familjari i Jakup Krasniqit thotë se që nga intervistimi Jakup Krasniqi asnjëherë më nuk është kontaktuar nga Specialja.

“Ai është ndjerë komod në këtë drejtim. Jo që është ndjerë në siklet ndonjëherë në këtë temë pasi asnjëherë nuk ka hezituar t’i përgjigjet drejtësisë”.