“Familja në Kombinat jeton në barakë”, Bashkia Tiranë i përgjigjet PD: Marrin bonus qiraje

schedule14:41 - 8 Shtator, 2020

schedule 14:41 - 8 Shtator, 2020

Bashkia e Tiranës ka reaguar lidhur me rastin e Nik Prendit të bërë publik nga Partia e Demokratike.

Sipas denoncimit të PD, Prendit iu shemb banesa nga tërmeti i 26 nëntorit dhe prej atëherë ai banon në një barakë të cilën e ka ndërtuar me dërrasa që i kanë falur komshinjtë.

Nikë Prendi shprehej se i kishte humbur shpresat tek shteti pasi ka 1 vit që endet dyerve të Bashkisë, por askush nuk i ka ardhur në ndihmë.

Ndërkohë, përmes një njoftimi zyrtar, Bashkia shkruan se banesa e familjes në fjalë është shpallur e pabanueshme. Po ashtu, sipas njoftimit, kryefamiljari ka marrë gjatë gjithë kësaj kohe të gjithë mbështetjen e nevojshme, duke përfshirë edhe bonusin e qirasë çdo muaj.

Lexo edhe: “Prej 1 viti jeton në barakë”, qytetari: Kam frikë se s’do ma bëjnë shtëpinë

Bashkia e Tiranës sqaron se banesa e familjes së z. Nik Prendi në Njësinë Administrative 6 është shpallur e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, për shkak se ka pësuar dëme të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Për këtë arsye, nga Janari 2020, sipas VKB nr. 151, dt. 16.12.2019, kjo familje trajtohet çdo muaj me bonus qiraje prej 180 mijë lekësh, të cilat duhet t’i përdorë për të jetuar në një shtëpi me qira,” thuhet në njoftim.

Për të provuar që familja e ka marrë bonusin, është publikuar edhe dokumenti i tërheqjes së parave nga Prendi.

Reagimi i plotë:

“Është për të ardhur keq që Lulzim Basha dhe spikeret e tij gënjejnë publikisht, duke shfrytëzuar babëzisht me shpifje dhe për fushatë fatkeqësinë e tërmetit. Bashkia e Tiranës sqaron se banesa e familjes së z. Nik Prendi në Njësinë Administrative 6 është shpallur e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, për shkak se ka pësuar dëme të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Për këtë arsye, nga Janari 2020, sipas VKB nr. 151, dt. 16.12.2019, kjo familje trajtohet çdo muaj me bonus qiraje prej 180 mijë lekësh, të cilat duhet t’i përdorë për të jetuar në një shtëpi me qira. Për të provuar gënjeshtrën e shëmtuar të PD-së, po ju vëmë në dispozicion dokumentin e tërheqjes së bonusit të qirasë në postë nga vetë z. Prendi.

Bashkia i bën thirrje PD-së që të ndalojë këto mashtrime duke shfrytëzuar fatkeqësinë e tërmetit. “Për të disatën herë PD po dështon të gjejë dikë që nuk është mbështetur nga Qeveria e nga Bashkia në fatkeqësinë e tërmetit. Nga dëshpërimi po mundohen t’i shpikin, duke turpëruar veten dhe qytetarët. Partia Demokratike nuk ka asnjë shans që me mashtrime e gënjeshtra, të bëjë vajtojcën e halleve të popullit, ndaj do bënte mirë të ndalojë menjëherë mashtrimet publike, të mos përdorë dhe të mos bëjë fushatë me fatkeqësinë e familjeve të prekura nga tërmeti i nëntorit 2019.

 Bashkia e Tiranës siguron të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti, se po vijon me shpejtësi punën për rindërtimin e të gjitha banesave individuale në zonat rurale, disa prej të cilave kanë përfunduar tashmë, si dhe po përshpejton procesin për fillimin e punës për ndërtimin e pallateve në lagjet e reja në Kombinat dhe zonën e Rr. “5 Maji”.

Ndërkaq, të gjitha familjet që trajtohen me bonus qiraje do të vijojnë ta marrin atë pa ndërprerje, derisa të rikonstruktohen ose të pajisen me një shtëpi të re.” s.b /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!