Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Familja kolonjare bashkohet pas 75 vitesh, historia e Shefki Çarçanit e letrat nga Brazili në dosjen e sigurimit

schedule13:17 - 25 Maj, 2026

schedule 13:17 - 25 Maj, 2026

Një histori e dhimbshme ndarjeje, persekutimi dhe malli që zgjati plot 75 vite ka bashkuar më në fund familjen Çarçani. Ish-deputeti Arlind Çarçani rrëfen në “ABC e Mëngjesit” historinë e pazakontë të gjyshit të tij, Shefki Çarçanit, i cili u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitin 1949 për të mos u kthyer më kurrë, duke lënë pas dy fëmijë të vegjël dhe një plagë që do të mbetej e hapur për dekada.

Shefki Çarçani, pjesë e një familjeje të shpallur armike nga regjimi komunist për shkak të bindjeve nacionaliste dhe lidhjeve me Ballin Kombëtar, mori rrugën e arratisë në një nga periudhat më të errëta të vendit. Ai iku nga Shqipëria për t’i shpëtuar ndëshkimit, por pas vetes la dy fëmijë të mitur – Engjëllin vetëm 1 vjeç dhe Afërditën 2 vjeçe.

Që nga ai moment, jeta e familjes mori një kthesë tragjike. Fëmijët e tij u rritën pa baba, mes internimeve, përndjekjeve dhe varfërisë. Engjëll Çarçani, babai i Arlindit, u rrit praktikisht jetim, pa njohur kurrë dashurinë dhe praninë e të atit. Ai njohu vetëm gjyshen nga ana e nënës dhe për vite me radhë jetoi me mungesën e një figure atërore, pa ditur asgjë për fatin e babait të tij.



Ndërkohë, në anën tjetër të botës, Shefkiu kishte përfunduar në Brazil. I larguar përgjithmonë nga atdheu, ai ndërtoi jetën në San Paulo, por sipas familjarëve, një dhimbje nuk iu shua kurrë: malli për fëmijët që la pas. Në vitin 1991 ai ndërroi jetë pa mundur t’i shihte më Engjëllin dhe Afërditën, pa mësuar asnjëherë çfarë ishte bërë me ta.

Por historia nuk përfundoi aty.

Në vitin 2024, pas shumë përpjekjesh dhe kërkimesh, familja Çarçani mori në dorë dosjen e Sigurimit të Shtetit të Engjëll Çarçanit – një dosje me 240 faqe, e mbushur me vuajtje, ndjekje dhe përsekutim. Mes dokumenteve të zymta të regjimit komunist, familja gjeti diçka që do të ndryshonte gjithçka: letra të vjetra të dërguara nga Shefki Çarçani për fëmijët e tij në Shqipëri, letra që nuk kishin mbërritur kurrë në destinacion.

Bashkë me to ishte edhe një adresë e vjetër nga Brazili.

Kaq mjaftoi që familja të niste kërkimet. Pas dekadash misteri dhe heshtjeje, ata arritën të lidhen me trashëgimtarët e Shefki Çarçanit në San Paulo – dy djemtë dhe një vajzë të tij: Marcia, Mersin dhe Mensur Çarçani.

Pas 75 vitesh, dy degë të së njëjtës familje, të ndara mizorisht nga diktatura dhe largësia, u gjetën sërish.

“U emocionuam pa masë kur mësuam se ata kishin ruajtur mbiemrin tonë, kishin krijuar familjet e tyre dhe kishin mbajtur gjallë zakonet shqiptare edhe në një vend kaq të largët,” rrëfen Arlind Çarçani.

Sot, familja po përgatitet për takimin e shumëpritur me të afërmit në Brazil – një ribashkim që dukej i pamundur për tri breza me radhë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!