Një gabim në zbatimin e masave të sigurisë ka futur në kaos aeroportin e Frankfurtit, duke detyruar autoritetet të evakuuojnë njerëzit nga terminalet dhe të anulojnë disa dhjetëra fluturime.
Disa seksione të aeroportit të Frankfurtit, në Gjermani, u evakuuan të martën dhe shumë fluturime u anuluan pasi një familje franceze arriti të kalonte masat e sigurisë edhe pse rezultoi pozitive ndaj testit për eksploziv. Familja është gjetur më vonë, është marrë në pyetje dhe më pas është lënë nga oficerët e sigurisë të vazhdojë udhëtimin e saj.
Policia nuk ka sqaruar se çfarë e kishte shkaktuar alarmin për rrezikun nga eksplozivi, por ka deklaruar se bëhet fjalë për një gabim të kryer nga një prej oficerët e saj. Sidoqoftë, edhe pse alarmi rezultoi i rremë, udhëtarët në aeroportin e Frankfurtit po përballen me pasojat e fluturimeve të anuluara dhe me radhë të gjata për të siguruar një vend në itineraret e ardhshme. Mediat gjermane raportojnë se janë 49 fluturimet e anuluara, ndërsa udhëtarët janë ankuar për mungesë informacioni gjatë dhe pas urdhërit të evakuuimit. Rreth 1.500 fluturime ishin planifikuar të ngriheshin ose të uleshin të martën në aeroportin e Frankfurtit.
Kompania “Lufthansa”, e cila në këtë kompleks ka një ndër bazat kryesore të saj, ka bërë me dije se po harton një plan të ri fluturimesh. Një incident i ngjashëm ndodhi më 28 korrik në aeroportin e Mynihut, ku për pasojë u anuluan 300 fluturime, duke lënë në tokë 30 mijë persona./abcnews.al