Falsifikonte pasaporta, leje drejtimi e leje kalimi për në shtetet e huaja, arrestohet 49-vjeçari

schedule12:38 - 14 Gusht, 2021

schedule 12:38 - 14 Gusht, 2021

Policia në Pogradec ka vënë në pranga një 49-vjeçar i cili falsifikonte pasaporta, leje drejtimi, kartela punësimi dhe leje kalimi për në shtetet e huaja. Mësohet se pas një hetimi disa mujor,  specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec finalizuan operacionin policor të koduar “Emigranti”.

Si rezultat, në pranga u vu N. J., 49 vjeç, banues në Pogradec. Nga hetimet rezulton se 49-vjeçari e ushtronte veprimtarinë e tij në banesë.

Pas kontrolleve, policia sekuestroi 8 telefona celularë; 1 vulë universale e cila dyshohet se përdorej për falsifikim; 7 pasaporta të dyshuara si të falsifikuara me identitete të ndryshme, 1 dokument identifikimi grek, 8 certifikata familjare të shtetasve të ndryshëm, disa leje kalimi për në shtetin grek dhe italian me identitete të ndryshme personash; 105 leje kalimi të tjera të paplotësuara por të vulosura, 3 leje drejtimi shqiptare të dyshuara si të falsifikuara; kartela punësimi të vulosura dhe të nënshkruara.

Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!