Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim gjashtë efektivë policie të akuzuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
Të pandehurit Xhevahir Stërmugu, Endri Hazizi, Aurel Tahiri, Nertil Xhemalaj, Eraldi Koprencka dhe B.T. përballen me akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”, të parashikuara nga nenet 259/1, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), dega Elbasan-Korçë, ka evidentuar raste konkrete ku punonjësit e policisë kanë marrë përfitime të paligjshme nga drejtues mjetesh për të mos vendosur masa administrative ndaj tyre, duke dëmtuar kështu interesat financiarë të shtetit dhe interesin publik.
Katër efektivët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor – Xhevahir Stërmugu, Endri Hazizi, Aurel Tahiri, Nertil Xhemalaj – janë akuzuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre të kryer në mënyrë të përsëritur, ndërsa Eraldi Koprencka dhe B.T. akuzohen për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Prokuroria i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo akt korruptiv apo abuzim me detyrën nga zyrtarët publikë, në mënyrë që autorët të përballen me drejtësinë.
/ abcnews.al


