SHQIPËRI- Pas një muaji agjërimi e sakrificash shpirtërore, besimtarët myslimanë kremtojnë këtë të diel festën e Fitër Bajramit. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe besimtarët u mblodhën në “Sheshin Skënderbej” për faljen e madhe në Tiranë.
Ceremonia nisi në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën dhe më pas vijoi me faljen e madhe në shesh. Kreu i Komunitetit Mysliman, mes të tjerash në fjalën e tij uroi të gjithë besimtarët anë e mbanë dhe gjithashtu që “Zoti t’u kishte pranuar agjërimin dhe t’i ndihmonte në përballimin e sfidave të jetës”.
Edhe Presidenti Bajram Begaj uroi besimtarët myslimanë duke theksuar se përmbyllja e agjërimit, përfundimi i muajit të sakrificës, bëhet me festën e mrekullueshme të Bajramit, me festën e gëzimit, paqtimit të shpirtit dhe me shpresën e mëshirës së Zotit.
Një urim erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se besimtarët përmbushën me devotshmëri një muaj përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi.
Festa e Fitër Bajramit u kremtua edhe në qytete të tjera të vendit. ABC News sjell të përmbledhur momente nga kremtimi i kësaj feste.
Vlorë
Besimtarët, të shumtë në numër, u mblodhën për të kryer faljen e kësaj feste të bekuar. Për shkak të restaurimit të Xhamisë së Plumbit, ceremonia u zhvillua në Pallatin e Sportit, i cili u mbush plot me besimtarë të devotshëm.
Ceremonia nisi me leximin e Kuranit, duke sjellë qetësi dhe reflektim te të pranishmit. Më pas, besimtarët u bashkuan në faljen e namazit, duke e kthyer këtë moment në një shenjë bashkimi dhe devotshmërie. Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhlleku, mbajti një fjalim të ngrohtë, duke falënderuar komunitetin për përkushtimin e tyre në këtë muaj të shenjtë. Ai përcolli mesazhin e paqes dhe harmonisë, duke theksuar rëndësinë e vlerave familjare dhe solidaritetit.
Pas faljes, besimtarët shkëmbyen përqafime dhe urime të përzemërta, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë.
Fushë-Krujë
Besimtarët myslimanë kanë falur Fitër Bajramin në xhamitë Fushë-Krujës, të tejmbushura nga të gjitha grupmoshat.
Kukës
Besimtarët në Kukës falën Fiter Bajramin në dy xhamitë e qytetit. Besimtaret përcollën urimet e tyre ne këtë dite te shënuar, ndërsa myftiu i qytetit Emirjon Vathaj përcolli mesazhe paqeje e solidariteti.
Elbasan
Atmosfera festive e Fitër Bajramit u ndje gjerësisht edhe në qytetin e Elbasanit. Besimtarët falën Namazin në orët e para të mëngjesit dhe uruan njëri tjetrin për begati në familjet e tyre.
Durrës
Falja e Fitër Bajramit u krye ashtu si çdo vit tjetër në ambientet e brendshme dhe të jashtme të xhamisë se qytetit. Imami i xhamisë së Durrësit, Ervin Qylafi teksa uroj te gjithë besimtarët për mirësi, lumturi dhe begati tha se muaji i agjerimit tregon vullnetin e besimtarëve, bashkim, solidaritet, begati dhe largimim nga veset e keqija.
Fier
Edhe qyteti i Fierit ka kremtuar festën e Fitër Bajramit. Beismtarët, pas muajit të shenjtë Ramaznait dhe sakrificës së tyre, kanë uruar njëri tjetrin për agjërim të pranuar dhe begati në famijet e tyre.
Lezhë
Qindra besimtarë myslimanë u mblodhën sot në Xhaminë e Lezhës për të falur Namazin e Fitër Bajramit, duke kremtuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Ceremonia fetare u drejtua nga Myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, i cili në mesazhin e tij theksoi rëndësinë e kësaj dite për forcimin e besimit, solidaritetit dhe mirësisë.
Gjirokastër
Besimtarët myslimanë në Gjirokastër kanë festuar ditën e Fitër Bajramit. Mëngjesin e sotëm në mjediset e Pallatit të Sportit u zhvillua ceremonia religjoze e kësaj dite të shenjtë për besimin islam. Faljen e namazit e ka drejtuar myftiu i Gjirokastrës, Aorel Senja.Besimtarët janë lutur për më shumë paqe dhe harmoni mes njerëzve.
Më pas për besimtarët janë shpërndarë ëmbëlsirat e festës Pjesë e festimeve të Ditës së Fitër Bajramit në Gjirokastër ishte edhe pritja e organizuar nga myftinia si dhe vizitat e besimtarëve në familjet e njeri-tjetrit.
Shkodër
Ceremonia kryesore e faljes se Fiter Bajramit e udhëhequr nga Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari u mbajt ne Xhaminë e Parrucës. Imami, fjalën e tij ia kushtoi rinisë, e cila siç tha ai duhet te udhëhiqet nga parime te shenjta dhe te largohet nga veset e këqija.
Korçë
Besimtarët muslimanë të Korçës u mblodhën gjatë mëngjesit në ambjentet e jashtme të xhamisë së “Iljaz Bej Mirahorit”, për të falur namazin e Fiter Bajramit. Mes lutjeve të përbashkëta,pas agjërimit një mujor,besimtarët përcollën urimet e solidaritetit ndaj të pamundurve dhe devotshmërinë dhe sakrificën ndaj Zotit.
Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi uroi besimtarët e shumtë për begati,paqe dhe harmoni në çdo familje. Myftiu I Korçës u ndal në fjalën e tij edhe tek rëndësia e solidaritetit dhe dhembshurisë, duke pohuar se Fiter Bajrami është një festë e shenjtë reflektimi,sakrifice dhe falënderimi për dhuratat e Zotit.
Në këtë ditë të shënuar, ABC News uron të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin!/abcnews.al