“Fali Zot se s’dinë ç’bëjnë”, prokurori Anton Martini reagon pas shkarkimit: Shteti më “pushkatoi”

schedule10:01 - 11 Qershor, 2021

schedule 10:01 - 11 Qershor, 2021

Prokurori Anton Martini ka reaguar pas vendimit ditën e djeshme nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) për ta shkarkuar nga detyra. Martini shkruan se dje shteti e “pushkatoi” atë dhe familjen e tij në mënyrë të padrejtë dhe të pabesë edhe pse kishte punuar për të për 23 vite. Ai shprehet se faktori ndërkombëtar dështoi të monitorojë procesin kompleks ndaj tij, por thekson se beteja e tij ligjore pas këtij shkarkimi do të vijojë për të vendosur të drejtën në vend.

“Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë të mi! Dje nuk ishte një ditë e mirë për mua dhe familjen time. Padyshim, që isha i përgatitur edhe për këtë vendim, sepse kisha të gjithë të dhënat e nevojshme që po punohej fort dhe në menyrë të kamufluar kundër meje. Me këtë, nuk dua ta mbivlerësoj për asnjë moment veten time, më besoni.

Dje, shteti im më “pushkatoi” mua dhe familjen time, në mënyrë krejt të padrejtë e të pabesë, shtet për të cilin, prej 23 vitesh punova shumë shumë fort, duke u munduar te ruaj e të mos cënoj për asnjë moment besimin ndaj qytetareve të mi.

Dje, faktori ndërkombëtar dështoi të monitorojë procesin kompleks ndaj meje, rol të cilin parlamentarët e vendit tim, j`ua besuan nëpërmjet dispozitave kushtetuese.

Jam sigurisht i mërzitur nga vendimi i djeshëm, por pavarësisht kësaj, dua që sot, të falenderoj çdo mik dhe bashkëpunëtor timin, që kam pasur ndër vite, me të cilët kemi ndarë orët e gjata dhe netët pa gjumë, për të punuar që ky vend të behej më i sigurtë.

Falenderoj nga zemra cdo qytetar që më ka mbështetur me fjalë e komente gjatë kësaj periudhe, të cilët kanë besuar te parimet që unë mbroj. Beteja ime ligjore do vazhdojë, me shpresë, që e drejta e cënuar, të vihet në vend.

Duke e përfunduar këtë përshendetje me plot emocion nga unë, dua ta mbyll me një pasazh nga një bashkëbisedim që pata mbrëmë në orët e vona, me një mikun tim të ardhur nga larg në shenjë solidariteti me familjen time në këto momente, i cili më pyeti; “këta që të kanë rënë në qafë ty dhe fëmijëve te tu, si mund t’i zëjë gjumi të qetë”? – e si përgjigje nga unë, mori një shprehje biblike e cila mu kujtua në çast; ” Fali o Zot se nuk dinë cfarë bëjnë”!, shkruan Anton Martini.

Martini u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e Vettingut, por Komisioneri Publik e ankimoi vendimin në KPA duke gjetur mospërputhje të atyre çfarë deklaron Anton Martini nga ato që i janë gjetur, 3 dosje ku dyshon Komisioneri Publik si dhe disa denoncime. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!