Zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, në një intervistë për “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka theksuar zhvillimet pozitive në tregun e punës dhe dinamiken e sektorëve kryesorë të ekonomisë. Sipas saj, rritje të ndjeshme po shënon sidomos sektori i hoteleri-turizmit, ndërsa programet aktive të tregut të punës dhe aftësimit profesional po japin rezultate të prekshme.
Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 janë realizuar rreth 20 mijë ndërmjetësime të punësimit, prej të cilave 3 700 përmes programeve nxitëse, ndërsa 10 mijë persona kanë përfituar nga kurset profesionale. Manjani nënvizoi se pjesëmarrja e grave në tregun e punës është rritur ndjeshëm, duke arritur nivelin 72% në tremujorin e tretë të vitit 2025, ndërsa rritja ekonomike ka vijuar të gjenerojë më shumë vende pune dhe të rrisë kërkesën për fuqi punëtore.
“Kemi vënë re që ka një rritje të disa sektorëve të ekonomisë me ritme shumë të shpejta, sektori i hoteleri-turizmit. Një faktor shumë i rëndësishëm janë edhe programet aktive të tregut të punës, që përfshijë edhe programet e aftësimit profesional, të cilat kanë ndikuar edhe në rritjet e aftësive të forcës së punës dhe rritjes së aftësive të njerëzve për të gjetur një punë.
Këtu mund të them edhe disa shifra: vetëm në 3 mujorin e parë të vitit 2025 agjencia kombëtare për punësim dhe aftësim ka bërë rreth 20 mijë ndërmjetësime në tregun e punës, ndër to kemi edhe 3 mijë e 700 punësime të cilat janë ndërmjetësuar duke përdorur programe të nxitjes së punësimit, ndërkohë ka edhe 10 mijë persona që kanë përfituar nga kurset e formimit profesional.
Nga ana tjetër kemi edhe një pjesëmarrje më të lartë të grave në tregun e punës, pjesëmarrja e grave, vetëm në tremujorin e tretë të vitit 2025 është rritur me 72%, apo edhe e grupeve të tjera. Së fundmi patjetër që është edhe rritja ekonomike që ka krijuar më shumë vende pune dhe ka rritur kërkesën për të të punësuar. Është rritur edhe numri i të punësuarve”, tha Manjani.

