“Fake News”, Trump hedh poshtë mosmarrëveshjet me aleatët e G7

schedule13:24 - 25 Gusht, 2019

schedule 13:24 - 25 Gusht, 2019

Presidenti Donald Trump i ka quajtur të rreme dhe të neveritshme lajmet e publikuara në media për një ftohje mes tij dhe liderëve të grupimit G7. Përmes një postimi në Twitter, Trump ka thënë se me aleatët perëndimorë po shkon shumë mirë.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se po shkon shumë mirë me aleatët perëndimorë në samitin e G7-s që po mbahet në Francë, duke hedhur poshtë zërat për një ftohje me liderët e tjerë.

Samiti i G7-s po mbahet në një kohë kur janë rritur shqetësimet për një tkurrje të ekonomisë globale, që përkon me një epokë përçarjeje ndërkombëtare për një sërë çështjesh, të cilat kanë cënuar aleancat që zgjasnin prej dekadash.

“Përpara se të mbërrija në Francë, lajmet e rreme dhe të neveritshme thoshin se marrëdhëniet me 6 vendet e tjera janë shumë të tensionuara dhe se takimet dyditore të samitit do të ishin një katastrofë”, shkroi Trump në Twitter përpara takimit me kryeministrin britanik Boris Xhonson.

“Por ja ku jemi. Po zhvillojmë takime shumë pozitive, liderët po merren vesh shumë mirë dhe vendi ynë ekonomikisht është më mirë se kurrë”, vijoi Trump.

Sidoqoftë, dallimet e thella sa i takon proteksionizmit tregtar, ndryshimeve të klimës, çështjes së Iranit dhe thirrjes së Francës për një taksë universale për gjigandët e teknologjisë dixhitale kanë bërë që re të zeza të mblidhen rreth samitit.

Në prag të takimit, Trump kishte kërcënuar se Shtetet e Bashkuara do të taksonin verën franceze si “kurrë më parë”, nëse Parisi zyrtar nuk heq taksën për kompanitë amerikane të teknologjisë.

Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk paralajmëroi se BE do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë Shteteve të Bashkuara, nëse Trump konkretizon kërcënimet e tij.

“Ky samit mund të jetë shansi i fundit për të rikthyer normalitetin në komunitetin tonë politik”, tha Tusk ditën e shtunë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!