Kapiteni i Romës, Lorenzo Pellegrini është vendosur në qendër të akuzave së fundmi nga Fabrizio Corona. Gazetari që ndër të tjera zbuloi edhe emrat e lojtarëve italianë të përfshirë në baste, pretendon se mesfushori është denoncuar nga një eskortë rumune për shkak se lojtari e përndjek vajzën në fjalë.
Reagimi i Pellegrinit për rastin në fjalë ishte i ashpër duke mohuar çdo akuzë ndërsa paraljmëron se do të ndjekë rrugën ligjore për ata persona që shpifin mbi jetën e tij, në një moment kur ai po pret fëmijën e tretë nga martesa me bashkëshorten e tij Veronica Martinelli.
“Mu desh të shpenzoja tre minuta nga jeta ime për të lexuar një artikull të publikuar në Instagram, një artikull krejtësisht të pavërtetë që shpif për mua. Gjithsesi, tani nuk dua të merrem dhe të shpenzoj sërish kohë duke folur dhe duke mohuar ato që ishin shkruar.
Avokatët e mi kanë marrë miratimin për të vepruar dhe për të mbrojtur vlerat e mia dhe të familjes sime. Tani gjëja më e rëndësishme për mua është lindja e fëmijës së tretë. Shpresoj që autoritet të ndërmarrin veprimet e duhura dhe të vlerësojnë njerëzit e drejtë”,- thekson Pellegrini në reagimin e tij.