Fabrika e peshkut në Shëngjin, era e rëndë alarmon banorët

schedule18:34 - 26 Nëntor, 2018

schedule 18:34 - 26 Nëntor, 2018

Banorët që jetojnë pranë fabrikës së peshkut në hyrje të Shëngjinit protestojnë për ajrin e ndotur nga shkarkimet pa kontroll. Ata thonë se nuk po gjejnë një zgjidhje për të shmangur këtë situatë. Kurse drejtuesit e Inspektoriatit Mjedisor në Lezhë i thanë ABC News se nuk ka ndotje si pasojë e shkarkimeve të ujërave nga kjo fabrikë.

Në këtë territor banorët kanë vite që vuajnë. Aroma e rëndë e fabrikës së përpunimit të peshkut ua ka vështirësuar jetën. Shumë familje janë larguar nga aty vetëm nga ky shkak. Është hyrja për në Shëngjinin turistik. Banorët janë të irrituar. Thonë se nuk gjejnë zgjidhje për të larguar ndotjen. Kanë bindje që kjo ndodh për shkak se paguhet rryshfet. Ata tregojnë se ujërat e ndotura derdhen në det dhe në kanalizimet e ujërave të zeza të Shëngjinit.

Banori 1: “Pothuajse çdo ditë dëgjohet aroma, nga mëngjesi deri në darkë. Është bërë e pabanueshmë zona këtu përreth. Në darkë kur shkarkohen ato edhe në qendër të Shëngjinit mund të dëgjohet era.”

Banori2: “Ajo është aq problem sa të formohet kanceri në trup.”

Banori 3: “Kjo duhet të hiqet, nuk jetohet hiç. Jemi bërë për të shitur shtëpitë, çdo gjë.”

Për situatën, ABC News mori kontakt me drejtuesit e Inspektoriatit Mjedisor në Lezhë. Përmes telefonit, pasi zyrtarët nuk pranuan të intervistoheshin para kamerave. ABC News-it u tha se janë ushtruar vazhdimisht kontrolle dhe nuk ka ndotje si pasojë e shkarkimeve të ujërave nga kjo fabrikë. Më parë, fabrikës i janë mbyllur dy shkarkime të kundraligjshme. Njëra tek porti dhe tjetra te kanalizimet e ujërave të zeza, por era e rëndë vazhdon të shqetesojë banorët, vizitorët e turistët./abcnews.al

Përgatiti: Gjergj Figuri, gazetar i ABC News, Lezhë

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!