Exit poll-et e para nga zgjedhjet parlamentare në Francë tregojnë kryesimin e partisë së Marine Le Pen. Vlerësimet e para tregojnë të parin Tubimin Kombëtar me 34 përqind, aleanca e majtë Fronti i Bashkuar Popullor vjen më pas me 28.5%. Koalicioni “Së bashku” i Emmanuel Macron renditet i treti me 20.3%.
Megjithatë, nëse do të jenë këto shifra, asnjë nga tre blloqet në garë nuk do të arrinte qeverisjen. Në reagimin e parë ndaj rezultateve, presidenti Macron u bëri thirrje votuesve që të votojnë kandidatët “republikanë dhe demokratë” në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet të dielën e ardhshme.
“Pjesëmarrja e lartë në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve legjislative dëshmon për rëndësinë e këtij votimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë dhe dëshirën për të sqaruar situatën politike. Zgjedhja e tyre demokratike na detyron. Përballë Tubimit Kombëtar, ka ardhur koha për një mbledhje të madhe, qartësisht demokratike dhe republikane për raundin e dytë”, tha Macron.
Pjesëmarrja totale në këtë raund zgjedhjesh vlerësohet në 69.7%, sipas vlerësimeve të para, pjesëmarrja më e lartë në katër dekada.
/abcnews.al