Evropë, rritja e të djathtës ekstreme nxit debatin mbi migracionin, Ukrainën

schedule16:15 - 3 Tetor, 2024

schedule 16:15 - 3 Tetor, 2024

Evropa duket e gatshme të ashpërsojë ligjet e migracionit mes rritjes së mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë në të gjithë kontinentin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgewell, Partia e Lirisë në Austri, e cila bëri fushatë me një program zgjedhor për t’i dhënë fund emigracionit dhe për të kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, doli e para në zgjedhjet e javës së kaluar. Megjithatë, rivalët kanë thënë se do të refuzojnë të bëjnë koalicion me të.

‘Partia e Lirisë’ në Austri fitoi 29 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar. Partia u themelua nga ish-nazistët, pas Luftës së Dytë Botërore. Ky është rasti më i fundit i fitoreve të partive të ngjashme, në të gjithë Evropën.

Analistët thonë se partia trajtoi me sukses shqetësimet e votuesve.

“Bëhet fjalë për emigracionin dhe ka ende çështje në lidhje me Covid19″, thotë analisti politik Peter Hajek.

Gjatë fushatës zgjedhore, Partia e Lirisë u zotua, siç u shpreh ajo, “të riemigrojë të huajt e paftuar” dhe të pezullojë të drejtën për azil.

Partitë e ekstremit të djathtë që janë kundër imigracionit, kanë fituar zgjedhjet në Holandë dhe Itali, zgjedhjet e fundit shtetërore në Gjermani dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Francë.

“Një tjetër sukses i ekstremit të djathtë në Evropë. Partitë e qendrës së djathtë po reagojnë duke ashpërsuar qëndrimet e tyre ndaj imigracionit, duke imituar kështu gjithnjë e më shumë ekstremin e djathtë, veçanërisht idetë e tyre rreth identitetit, imigracionit dhe islamit”, thotë Hans Kundnani nga Universiteti i Nju Jorkut.

Emigracioni ka të ngjarë të jetë në krye të agjendës në takimin e nivelit të lartë të BE-së, më 17 tetor.

“Nëse blloku shkon më tepër drejt politikave të ngjashme me ato të programit të Partisë së Lirisë në Austri, kjo në thelb nënkupton ndërtimin e një muri rreth BE-së”, thotë analisti Kundnani.

Kjo është një kthesë e madhe nga viti 2015, kur afro dy milionë migrantë të parregullt u lejuan të hyjnë në Bashkimin Evropian. Në vitin 2023 vetëm një e pesta e këtij numri është lejuar në bllok.

BE-ja ka rënë dakord për një marrëveshje të re për azilin dhe emigracionin, që do të hyjë në fuqi në vitin 2026. Megjithatë, kjo nuk ka gjasa të zbusë debatin e Evropës për imigracionin.

“Ta vësh këtë sistem në funksion, ashtu siç synohet, brenda dy vjetësh, është shumë ambicioze”, thotë Raphael Bossong nga Instituti Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Ndërsa kundërshtimi ndaj imigracionit i bashkon partitë e ekstremit të djathtë, ato janë të ndara për mbështetjen për Ukrainën. Partia e Lirisë së Austrisë dhe partia Alternativa për Gjermaninë e kundërshtojnë ndihmën ushtarake për Kievin dhe duan t’i japin fund sanksioneve ndaj Moskës.

Megjithatë, partitë e tjera të ekstremit të djathtë, si Vëllezërit e Italisë, janë pro-ukrainas.

“Nëse jeni në ekstremin e djathtë, por jeni pro-ukrainas, atëherë mendoj se shumë evropianë të qendrës, nuk kanë asnjë problem me këtë. Ata janë të gatshëm të mbyllin një sy për pothuajse çdo gjë tjetër që bëjnë këto parti të ekstremit të djathtë, veçanërisht për çështje si emigracioni”, thotë analisti Hans Kundnani.

Partia e Lirisë në Austri nuk e ka shumicën e duhur për të qeverisur e vetme dhe partitë e tjera po refuzojnë të hyjnë në koalicion. Ata mund të mbesin jashtë pushtetit, por shtimi i mbështetjes për ekstremin e djathtë në Evropë është duke i dhënë tonin debatit politik në të gjithë bllokun./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!