Evropa “rrezikon varësinë” nga bateritë kineze në mungesë të energjisë ruse

schedule15:25 - 21 Shtator, 2023

schedule 15:25 - 21 Shtator, 2023

Ndërsa Evropa përpiqet të pakësojë çlirimin e karbonit ajo rrezikon të krijojë varësi nga Kina për bateritë ndërsa kërkesat pritet të rriten tej mase në vitet e ardhshme. Ky është vlerësimi i bërë në një raport të Bashkimit Evropian, i siguruar nga agjencia e lajmeve ‘Reuters’. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, raporti do të përdoret si baza e një takimi të nivelit të lartë që do të mbahet në fillim të tetorit mbi sigurinë ekonomike dhe energjetike të Evropës.

Raporti i BE-së i siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters paralajmëron se deri në vitin 2030, Evropa mund të bëhet po aq e varur nga Kina për bateritë, me përbërje prej litiumi dhe joni, sa ishte e varur nga energjia ruse përpara fillimit të agresonit të Moskës në Ukrainë.

“Nuk është shumë vonë, por mendoj se ata duhet të veprojnë me shpejtësi pasi Kina po ecën shumë shpejt në këtë sektor; ata janë kampionët e botës. Ata gjithashtu po rrisin përpjekjet të sigurojnë lëndët e para diku tjetër, për shembull në Afrikë. Është e rëndësishme të fuqizohet bashkëpunimi midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara në zhvillimin e teknologjive të reja, sepse kjo është përparësia kryesore”, thotë Guido Cozzi, ekonomist në Universitetin e St. Gallenit në Zvicër.

Evropa po ndërmerr hapa për të zhvilluar ekosistemin e saj të baterive siç është Aleanca Evropiane e Baterive, e cila përpiqet të nxisë investimet, kërkimin dhe zhvillimin e tyre. Franca hapi fabrikën e saj të parë të baterive të makinave elektrike në muajin maj.

“Qëllimi nuk është që të ketë vetëm fabrika të baterive. Ne duhet të kontrollojmë të gjithë zinxhirin. Ne fillimisht po punojmë për materialet e nevojshme kritike që të prodhojmë më shumë. Ne nuk mund të jemi plotësisht të varur nga Azia për furnizimin e materialeve kritike. Pastaj duhet të riciklojmë bateritë”, thotë Bruno Le Maire, Ministri francez i Financave.

Kina po investon shumë në sigurimin e lëndëve të para si kobalti, litiumi dhe mangani.

Pekini hapi një fabrikë të përpunimit të litiumit me një investim prej 300 milionë dollarëve në Zimbabve në muajin korrik.

Republika Demokratike e Kongos po negocion një marrëveshje të re e cila do t’i hapte rrugën Pekinit të investonte miliarda dollarë në infrastrukturë në këmbim të shfrytëzimit të rezervave të mëdha të kobaltit dhe bakrit të Kinshasës.

“Pekini është në gjendje të veprojë plotësisht i koordinuar, me ndërmarrjet shtetërore dhe financuesit, kështu ata edhe sigurojnë fonde, edhe ofrojnë infrastrukturë dhe të gjitha ato që duhen. Pra, në këtë mënyrë ata mund të lëvizin shumë më shpejt se Evropa të paktën”, thotë ekonomisti Guido Cozzi nga Universiteti St. Gallen.

Gara për mineralet në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine është gjithashtu një mundësi për Perëndimin për t’iu kundëvënë ndikimit të Pekinit, thotë analisti Cozzi.

“Duhet të ofrohen shembuj të mirë dhe të lehtësohet zhvillimi i tyre në kuptimin e gjerë, përfshirë arsimin. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen. Ne nuk duhet të dorëzohemi para Kinës”, thotë zoti Cozzi.

Raporti i BE-së paralajmëron se kërkesa për bateri dhe lëndë të tjera që duhen për prodhimin e makinave dhe nevoja shtëpiake, do të shumëfishohet deri në 30 herë më shumë se niveli i tanishëm në vitet e ardhshme./VOA