Edhe në Francë numri i personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit është rritur me ritme shqetësuese. Sipas të dhënave të publikuara nga Minsitria e Shëndetësisë të shtunën, vetëm brenda 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 112 persona.
Kështu, numri total i viktimave në vend shkon në 562. Nga ana tjetër, brenda ditës janë konfirmuar 1,847 raste të reja me Covid-19 duke e rritur numrin total në 14,459.
Sipas ministrisë së Shëndetit, 6,172 persona ndodhen deri më tani të shtruar në spitale dhe prej këtyre 1,525 persona ndodhen në kujdes intensiv. Nga personat që ndodhen në reanimacion, gjysma prej tyre janë nën 60-vjeç.
Franca është shteti i shtatë në botë më i prekur nga pandemia e Covid-19 dhe shteti i katërt më i prekur në Evropë. Vendin e parë dhe të dytë në kontinentin e vjetër e mbajnë Italia me 53,578 raste të konfirmuara dhe Spanja me 25,374 raste. /abcnews.al/


