Evropa e Partizanit kalon nga Riga, “të kuqtë” stërviten në kryeqytetin letonez para sfidës me Valmiera

schedule13:16 - 9 Gusht, 2023

schedule 13:16 - 9 Gusht, 2023

Aventura e Partizanit në Evropë kalon nga Riga. “Të kuqtë” e kryeqytetit zhvilluan seancën e parë stërvitore në kryeqytetin letonez në prag të sfidës së vajtjes kundër Valmiera në raundin e tretë eliminator të Conference League.

Të kuqtë e drejtuar nga Zoran Zekiç kërkojnë një rezultat pozitiv në këtë sfidë, për të qenë më të sigurtë në ndeshjen e kthimit që do të luajnë më 17 gusht në Tiranë.

Mungesat e Sembene dhe Mensah ndërlikojnë planet e kampionëve të Superligës, ndërsa në dyshim të fortë mbetet edhe Andi Hadroj. Mbrojtësi i djathtë vuan një dëmtim muskulor, por udhëtoi në transfertën e të kuqve, ndërsa Zekiç do të presë deri përpara ndeshjes për të vendosur nëse do ta aktivizojë në formacion.

Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, të gjithë futbollistët e grumbulluar për këtë sfidë janë në dispozicion.

Pasi u eliminua në raundin e parë eliminator të Champions League, Partizani siguroi biletën për në fazën e tretë të Conference League duke kaluar Atletic Ecaldes të Andorrës.

Por tani steka është ngritur ashtu si niveli i vështirësisë, por kampionët shqiptarë besojnë se i kanë të gjitha mundësitë për të vazhduar aventurën europiane, duke u kualifikuar në fazën e “play-off” të turneut. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!