Evitimi i veprimtarive kriminale gjatë festave, Veliu e Gazheli inspektime në portin e Durrësit

schedule16:50 - 31 Dhjetor, 2020

schedule 16:50 - 31 Dhjetor, 2020

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, pasditen e sotme inspektuan portin e Durrësit, për të parë nga afër zbatimin e masave të përbashkëta që kanë si qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kryesisht të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet ackizë, si dhe masat e përbashkëta për të mos krijuar vonesa në lëvizjen e mjeteve dhe të qytetarëve, për të ofruar një shërbim sa më cilësor, pavarësisht fluksit të ulët për shkak të pandemisë COVID-19.

Veliu dhe Gazheli kanë theksuar se bashkëpunimi mes Policisë Kufitare, autoriteteve doganore dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së qarkut është në nivele të shkëlqyera.

Të dy drejtorët u kanë kërkuar personelit respektiv dhe nëpërmjet një telegrami gjithë pikave kufitare, që të punojnë me përkushtim dhe të rrisin kontrollet në dalje dhe në hyrje, pasi nisur nga përvojat e viteve të kaluara në raste festash, elementë të ndryshëm tentojnë të kryejnë veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe kontrabandës.

Veliu dhe Gazheli kanë uruar punonjësit e Policisë Kufitare dhe ata të doganës dhe kanë theksuar se viti 2021 do shënojë nivele më të larta të bashkëpunimit në interes të përbashkët, për goditjen e krimeve ndërkufitare dhe trafiqeve të paligjshme. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!