Një ditë pasi u zgjodh nga kryeministri Edi Rama si pasuese e Besa Shahinit në drejtimin e Minitrisë së Arsimit, Evis Kushi është akuzuar nga studiuesi Vladimir Kola se punimin e doktoraturës e ka plagjiaturë. Por reagimi i Kushit ka ardhur menjëherë në një postim në rrjetet sociale ku ajo shprehet se do të dalë faqebardhë dhe do të nderojë Elbasanin, qytetin e saj, Partinë Socialiste dhe kryeministrin.
LEXO EDHE: Nga pedagoge u zgjodh deputete 2 mandate! Profili i ministres së re të Arsimit, Evis Kushi
Postimi i plote i Vladimir Koles
Ministrja e re e arsimit Evis Kushi (Caku), si bashkëautore, me artikull shkencor 70% plagjiaturë (të kopjuar). Natyrisht nuk mund t’i mohohet znj. Evis Kushi (Caku) Doktoratura në Staffordshire University (Mbretëri e Bashkuar) dhe shkrimet e tjera shkencore, por nga kontrolli im në internet rezulton se 70% të artikullit shkencor me titull “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, i vitit 2010, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, është kopjuar nga një tjetër artikull shkencor me titull “Political Transition, Corruption, and Income Inequality in Third-wave Democracies”, i vitit 2007, me autor Eric Chang.
Artikulli shkencor i kopjuar me titull “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, është paraqitur nga autoret në një konferencë shkencore me titull <<6th International Conference of ASECU, “Economic development, tax system and income distribution in the countries of Southern and Eastern Europe”>> që është mbajtur në Fakultetin e Ekonomisë, në Podgoricë, Mal i Zi, më 20-22 maj 2010.
Nuk përjashtohet mundësia që artikulli “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, të jetë përdorur nga autoret (apo nga njëra autore), si një ndër shkrimet shkencore, për të marrë tituj akademikë si Profesor i Asocuar ose Profesor.
Artikulli shkencor i kopjuar me titull “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, i vitit 2010, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, gjendet i plotë në internet dhe mund të konsultohet lirisht, në këtë adresë (te dokumenti PDF shih faqet 21-36):
Artikulli shkencor origjinal me titull “Political Transition, Corruption, and Income Inequality in Third-wave Democracies”, i vitit 2007, me autor Eric Chang, gjendet i plotë në internet dhe mund të konsultohet lirisht, në këtë adresë:
Në artikullin “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, 2010, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, janë kopjuar nga artikulli origjinal teksti dhe referencat (burimet e tjera shkencore). Madje, është edhe interesante të vihet në dukje se disa vlera numerike në përqindje, që gjenden në artikullin origjinal (2007, faqja 13) për shtete të ndryshme të Azisë, në lidhje me perceptimin e pabarazisë, janë paraqitur të njëjta si vlera në artikullin e kopjuar (2010, faqja 34) për ca qytete të Shqipërisë. Pra, në artikullin e kopjuar, thjesht janë hequr shtetet e Azisë dhe në vend të tyre janë vendosur ca qytete të Shqipërisë, por vlerat numerike, në lidhje me perceptimin e pabarazisë, janë të njëjta në artikullin e vitit 2007 (shtete të Azisë) dhe 2010 (qytete të Shqipërisë). Edhe konkluzionet, në artikullin e vitit 2010 janë të njëjta me konkluzionet e artikullit të vitit 2007.
Te bibliografia e artikullit të kopjuar “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, 2010, është vendosur “Political corruption and income inequality in third waves democracy, Eric Chang” (shih faqen 35 te dokumenti PDF), por siç mund të vihet re titulli i artikulli origjinal është shënuar i pasaktë dhe pasaktësia duhet të jetë e qëllimshme, për të mos zbuluar burimin origjinal për lexuesin, duke pasur parasysh edhe faktin se titulli i saktë i artikullit origjinal dhe titulli i artikullit të kopjuar, janë pothuajse të njëjtë.
Gjithsesi, edhe sikur te bibliografia e artikullit “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, 2010, të ishte vendosur titulli i saktë i artikullit origjinal (shih faqen 35 te dokumenti PDF), “Eric Chang, 2007, Political Transition, Corruption, and Income Inequality in Third-wave Democracies”, do të mbetej fakti se nga artikulli origjinal i vitit 2007 me autor Eric Chang, është kopjuar 70% në artikullin e vitit 2010 me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi. Më poshtë, po vendos në formë fotoje, krahasimin e një pjese të teksteve të kopjuara.
Deklarata nga Evis Kushi:
Të dashur miq, Ju falenderoj pa masë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme. Kur mora doktoraturën në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve. Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve!
g.v/abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!