“Europa të mbyt, El Clasico ndalte botën”, rrëfehet amerikani Gonzalo Higuain

schedule13:35 - 20 Tetor, 2020

schedule 13:35 - 20 Tetor, 2020

Sulmuesi i Inter Miami, Gonzalo Higuain, ka folur rreth aventurës së tij të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-lojtari i Juventusit, Milanit dhe Napolit tregon në një intervistë se ai ka gjetur në MLS sërish dëshirën për të luajtur si dhe flet rreth efektit të madh të mediave në Europë.

MLS – “Gjithmonë kam qenë kurioz rreth këtij kampionati. E kam ndjekur me vëmendje për shkak të vëllait tim si dhe nga lojtarët e mëdhenj që kanë ardhur këtu. Dëshira ime ishte që të vija në MLS sepse kërkoja të isha i lumtur dhe mendoj se Inter Miami më ka dhënë çdo gjë që unë kisha nevojë”, deklaron argjentinasi për “CBS Sports”.

RAPORTI ME MEDIAT – “Sapo erdha këtu më lindi sërish dëshira për të luajtur futboll. Ajo ndjenjë më kishte humbur në Europë prej disa vitesh për disa arsye të ndryshme. Për sa i përket raportit me mediat, Europa të mbyt. Unë duhej t’i provoja atyre çdo ditë dhe në çdo ndeshje se çfarë kam bërë në karrierë. Sigurisht që një ditë do ta humbasësh durimin, pasi ato nuk të japin kohë që ta shijosh futbollin.

 

RIBASHKIMI ME VËLLAIN – “Janë shumë gjëra që unë nuk i dija për të për shkak se kemi qenë larg me njëri tjetrin. Unë me Federicon kemi humbur 15 vite, por tashmë po përpiqemi që të zëvendësojmë kohën e humbur”.

EL CLASICO – “Është e bukur. Bota ndalon kur zhvillohet ajo ndeshje. Unë kam luajtur në periudhën e Messit dhe Ronaldos dhe ishte diçka e veçantë. Fatkeqësisht ne luajtëm kundër Barcelonës më të mirë në histori, por kur tek ne erdhi Jose Mourinho gjërat ndryshuan disi. Ka qenë një privilegj për mua që isha pjesë e atyre ndeshjeve”, mbyll Higuain. /abcnews.al