Europa sipas Macron…

schedule14:15 - 21 Prill, 2018

schedule 14:15 - 21 Prill, 2018

Në fjalimin e tij në Parlamentin Europian, Presidenti francez Emmanuel Macron sulmoi populistët dhe nacionalistët, të cilët sipas tij, mund ta çojnë Bahskimin europian drejt një lufte civile. Më pas kreu i shtetit francez u vetëkandidua për të drejtuar rilindjen e kontinentit europian

Emmanuel Macron hyn zhurmshëm në Strasburg si një monark alien por me objektivin e atij që do të shpëtojë atdheun. Kështu u komentua fjalimi i tij për një rimëkëmbje të bashkimit europian. Por atdheu i tij në këtë rast është ai europian, aktualisht nën erërat e pamëshirshme të populizmave, nacionalizmave dhe egoizmave kombëtarë. Aq të pamëshirshëm sa të rrezikojnë dhe demokracinë, e cila përballet me një kthesë autoritare deri në pikën sa mund të zhdukë identitetin dhe vlerat e një thesari të krijuar 70 vjet më parë, sipas tij.

Në ilustrimin e idesë së tij për Europën, Presidenti francez nuk u kursye, duke mbajtur një fjalim ambicioz dhe herë herë frymëzues. Duke marrë si këmbim duartrokitjet e Presidentit të Komisionit Europian Juncker dhe të grupeve liberale, por dhe mbështetjen e zbehtë të socialistëve pa hequr dorë nga përplasja me euroskeptikët apo me europarlamentarët e të majtës historike, të cilët në disa raste fishkëllyen deklaratat e tij.

“Nuk mund të bëjmë sikur bëhet fjalë për një diskutim të rëndomtë pasi nuk jetojmë në një kohë normale”.

Macron vë theksin në rrezikun se marrëveshja europiane mund të shkelet dhe se kombet mund të mbyllen në vetvete, pasi ksenofobia dhe frika mund të bëhen pjesë e vazhdueshme e jetës së përditshme në shoqëri. Kontinenti i vjetër mund të transformohet në një fortesë të blinduar. Brexit, fitorja e forcave jo liberale më vendet e lindjes, rikthimi i nacionalistëve, armiqësia për të huajt influence në rritje nga rusia e Putin, rënia e besueshmërisë në klasat drejtuese, janë për Macron elemente shumë të rrezikshme:

Rrezikojmë një luftë civile europiane:

Duke parashikuar skenarë dramatike por në të njëjtën kohë duke ofruar një alternativë, ku ai do të ishte aktori protagonist.

“Nuk dua t’i përkas një brezi sonambulësh që kanë harruar të kaluarën dhe nuk shohin shqetësimet e të tashmes së tyre”.

Me një aftësi të madhe retorike Macron u përpoq të përmbysë një koncept shumë të dashur për kundërshtarët e tij: sovranitetin, për ta aplikuar jo më në fatin e kombeve por pikërisht në Bashkimin Europian.

“Duhet të ndërtojmë një sovranitet të ri europian nëpërmjet të cilit do i japim qytetarëve tanë përgjigjen e qartë dhe të prerë se mund t’i mbrojmë. Duhet një sovranitet më i fortë se i yni. Vetëm ky i fundit do na lejojë të reagojmë si duhet ndaj emigracionit në masë, pasigurisë në planet, transformimit ekonomik, social dhe ambiental. Është ky sovraniteti europian në të cilin besoj”.

Dhe është pikërisht në këto pika nga të cilat duhet të rrotullohet rilindja e kontinentit të vjetër. Me një përpjekje të admirueshme optimizmi, Macron sfidon të djathtët nacionalistë i bindur se në Parlamentin e ardhshëm Europian për të cilin do të votohet në 2019-n, grupimet filoeuropiane do të jenë më  të forta dhe më të përfaqësuara. Në këtë kuadër, ai përmend dhe njëherë se si në vendin e tij arriti të poshtëronte Frontin Nacional të Marine Le Pen duke hyrë në Elize përkundër gjithë parashikimeve, duke premtuar se falë tij populizmi ka gjetur një kundërshtar kokëfortë dhe të vendosur.

Kur europarlamentari i Frontit Nacional Florian Filipi e sulmoi duke e cilësuar si ithtarin më të keq të liberalizmit europian, e ndërsa lavdëron dhe njëherë Brexit e kërkon një referendum për daljen e Francës nga Bashkimi Europian, Macron përgjigjet prerë mes duartrokitjesh:

“Nëse nuk iu pëlqen debate dhe nuk e doni europën mund të dilni qetësisht nga salla, madje mund të kishit qëndruar në shtëpi”.

Macron më pas mbron qendrën e boshtit franko-gjerman ku kanë lënë gjurmë Mitterrand e Kohl, Shirac e Shrëder, Hollande e Merkel, por në mënyrën e tij shkon më tej duke pranuar qartë se Franca mund të jetë në drejtimin e kësaj ngarkese duke premtuar një shtim të konsiderueshëm të fondit për Bashkimin Europian nga Parisi dhe duke propozuar veten si lider i BE-së së ardhshme.

Një monark republikan, sipas sociologut Mauris Dyverge, por dhe një alien, një produkt hybrid dhe i hibridizuar në kohën e tij, i cili vërtitet në territore të panjohura dhe të paeksploruara. Një karakteristikë kjo e fundit, të cilën Macron e mbron me krenari:

“Nuk i përkas asnjë familjeje politike të këtij cikli, nuk kam interesa të fshehta, as paragjykime, jam një njeri i lirë”.

Nëse ka në Europë një personazh të aftë që të përballet me valën ksenofobe dhe krizën e identitetit ai është Emmanuel Macron, më populisti mes anti-populistëve europianë.

Pra në fund Macron ka arritur të bëjë për vete Strasburgun. Të gjitha grupimet kryesore politike pranojnë se ai ka një shpirt pro-europë, aq sa presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker theksoi se Franca e vërtetë është rikthyer. Kreu i grupit të socialdemokratëve, Udo Bullmann, gjithashtu dha vlerësimin e tij duke thënë se do të donte të shihte liderë të tjerë kaq pro-europian si Macron. Fjalë që vërtetojnë praninë e shumë politikanëve, të cilët stepen dhe janë gati të bëjnë hapa prapa përballë Bashkimit Europian.

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian nuk ka krijuar vetëm problem ekonomike, por dhe disa probleme që kanë të bëjnë me gjeopolitikën. Mbretëria e Bashkuar në fakt ishte në krye të një një grupimi informal, si shkruan Financial Times, i përbërë nga vende që imagjinojnë institucione europiane më pak ndërhyrëse dhe më të fkusuara në temat ekonomike. Por gjithashtu Britania e Madhe drejtonte edhe një aleancë rajonale mes vendeve të veriut, sidomos atyre skandinave. Pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar të gjithë këto vende duhet të gjejnë një zëdhënës të ri të interesave të tyre, nuk do të jetë e thjeshtë dhe dikush ka nisur të kërkojë zgjidhje alternative.

Sidomos në brendësi të Këshillit Europian, i cili së bashku me parlamentin ka pushtetin legjislativ dhe është i përbërë nga një përfaqësues i qeverisë të do vendi, ndërsa krijimi i blloqeve rajonale apo për interesa të caktuara është shumë i zakonshëm dhe ndodh shpesh.

Ndërsa vendimet më të rëndësishme merren në mënyrë unanime, ato ta zakonshme vendosen me mekanizmin e mazhorancës së kualifikuar, një system pak i komplikuar që fikson mazhorancën në 16 vende nga 28 anëtare, apo mes vendeve të cilat duke u bashkuar përbëjnë të paktën 65 për qind të popullsisë së Bashkimit Europian.

Një nga blloqet më të konsoliduara mbledh vendet e Europës lindore dhe quhet Visegrád, si qytetit hungarez, ku në vitin 1991 u mbajt një samit i rëndësishëm mes Çekosllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë. Kohët e fundit vendet e Visegrád, të njëjtat e vitit 1991, me ndryshimin se Republika Çeke dhe Sllovakia janë ndarë, ndërkohë kanë rënë dakord sidomos për armiqësinë ndaj reformimit të sistemit të pritjes europiane të emigrantëve, por bashkëpunimi i tyre nis me sigurinë dhe deri tek ekonomia. Sllovakia është i vetmi vend i këtij blloku që përdor monedhën euro.

Blloqe të tjera janë krijuar përreth interesave të caktuara. Politico shkruan se vende si Suedia, Irlanda, Estonia dhe Bullgaria e kanë parë shpesh Mbretërinë e Bashkuar si një vëlla të madh në tema si tregtia e lirë, sovraniteti fiscal, dhe kundërshtimet ndaj Rusisë. Është grupi i parë vendeve të cilave Mbretëria e Bashkuar do iu mungojë shumë. Në një deklaratë për Politico, një diplomat suedez, i cili vendosi të qëndrojë anonim u shpreh se Brexit i ka lënë jetime këto vende.

Në letër këto vende mund të kërkojnë mbështetjen e Presidentit të ri francez Emmanuel Macron, i cili shpesh deklarohet si një mbështetës i një tregu më të lirë. Por në praktikë, sipas asaj që shkruan Financial Times, premtimet për liberalizim të Macron do të ndalojnë në kufirin francez. Për të mbledhur kapital politik që i duhet për reformën e punës, Macron mban një qëndrim të ashpër për tema që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombtar, si emigracioni, investimet e huaja dhe marrëveshjet që vënë në vështirësi fermerët francezë. Pra, sipas analistëve, Macron, është europian dhe liberal në mënyrën e tij.

Diplomatët e vendeve si Irlanda, Suedia, Danimarka, vendet e ulëta, Letonia dhe Lituania, takohen rregullisht prej një viti. Në 6 Nëntor të 2017-s, ministrat e Financave të këtij blloku darkuan së bashku në Bruksel para një samiti europian. Të njëjtën gjë kishin bërë dhe në Tetor: në atë rast kishte kërkuar të merrte pjesë dhe kryeministrja britanike Theresa May, por sipas Financial Time, kërkesa e saj ishte refezuar nga grupi.

Interesat janë pak a shumë të njëjta me ato të bllokut të parë, me ndryshimin se përqendrohen më shumë tek tregtia, duke qenë se janë pothuajse të gjithë vended të vogla, dhe si rrjedhojë importues. Disa zyrtarë në Bruksel e kanë pagëzuar grupin në fjalë si “Mark Rutte dhe shtatë xhuxhat”, duke theksuar se kryeministrit holandez do i pëlqente shumë të zëvendësonte Mbretërinë e Bashkuar dhe të bëhej zëdhënësi i këtyre interesave, por që aktualisht nuk ka forcën e duhur për ta bërë një gjë të tillë.

As Gjermania nuk duket e interesuar për të luajtur një rol kaq ndarës në brendësi të Bashkimit Europian. Në fund mund të përpiqet të dobësojë aleanca të tilla, për të nxjerrë në pah fuqinë e saj të pushtetit ekonomik në Bashkimin Europian. Është një mundësi, meqënëse sipas Politico “shumë nga vendet që janë pjesë e Visegrád kanë më shumë nevojë për marrëdhënie të mira me Gjermaninë se sa për njëri-tjetrin”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!