“Europa nuk është e plotë pa Shqipërinë”, Ruçi video-konferencë më kreun e Kuvendit të Portugalisë

schedule14:16 - 16 Qershor, 2021

schedule 14:16 - 16 Qershor, 2021

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka zhvilluar ditën e sotme një video-konference me Kryetarin e Asamblesë së Republikës të Portugalisë  Eduardo Ferro Rodrigues, në përfundim të Presidencës Portugeze të BE-së.

Në Konferencë ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane Luís Capoulas Santos.

Ruçi vlerësoi kontributin e Presidencës Portugeze për nxitjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Presidenca Portugeze e ka mbajtur çështjen e zgjerimit në krye të agjendës së saj. Vendimi i Këshillit Europian, në mars 2020, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë ka shtruar rrugën për hapin tjetër në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, atë të konferencës së parë ndërqeveritare. Në qershor 2020, qeveria shqiptare miratoi dhe nisi zbatimin e Plan Veprimit për përmbushjen e kërkesave të konkluzioneve të Këshillit, të marsit 2020. Bazuar në zbatimin e Planit të Veprimit është bërë progres i konsiderueshëm dhe janë përmbushur kërkesat për Konferencën Ndërqeveritare. Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fortë dhe të dukshme ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Jemi gjithashtu mirënjohës për përpjekjen e saj të palodhur për të ndërmjetësuar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre”, Ruçi.

Ai gjithashtu vuri në dukje arritjet konkrete të Shqipërisë në procesin e integrimit europian,  i cili sipas tij ka shërbyer si nxitje për demokratizimin e Shqipërisë, konsolidimin e institucioneve dhe sidomos për forcimin e shtetit të së drejtës.

Nga ana tjetër kryetari i Asamblesë së Republikës të Portugalisë Eduardo Ferro Rodrigues, falënderoi Ruçin për arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian dhe nënvizoi se “Portugalia ka qenë dhe do të jetë një mbështetëse e pranimit të Shqipërisë në familjen europiane.

“ Shqipëria është një partnere e Portugalisë në NATO dhe ka treguar pjekuri në drejtimin me sukses të Presidencës së OSBE-së si edhe më zgjedhjen si anëtare jo e përhershme e KS të OKB-së për vitet 2022-2023.

Integrimi europian është një proces transformues dhe Shqipëria ka arritur rezultatet të dukshme në këtë proces transformimi. Europa nuk do të jetë kurrë e plotë pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor”, tha ai./abcnews.al/