Europa në “kthetrat” e koronavirusit, rreth 2 milion raste në një javë

schedule13:43 - 26 Tetor, 2021

schedule 13:43 - 26 Tetor, 2021

Ndërsa shifrat e Covid gjatë verës kanë qenë të qëndrueshme, rajoni ka përjetuar një rritje si në numrin e rasteve ashtu edhe të viktimave që nga fillimi i tetorit. Në 7 ditët e fundit, rreth 1,672,000 raste, ose mesatarisht 239,000 në ditë, janë raportuar në Europë.

Numri i rasteve është 18% më i lartë se një javë më parë dhe pothuajse 60% më i lartë se në gusht dhe shtator, kur numri i rasteve të reja mbeti i qëndrueshëm me rreth 150,000 raste çdo ditë. 42 vende në rajon kanë shënuar rritje të rasteve në shtatë ditët e fundit, me vetëm shtatë prej tyre në rënie.

Shifrat e sotme mbeten më të ulëta në krahasim me valët e mëparshme të pandemisë, me një mesatare prej 284,000 rastesh në ditë midis 2 dhe 8 nëntorit 2020.  Por Europa aktualisht përbën mbi 55% të rasteve të reja në mbarë botën, raporton abcnews.al

Përveç vendeve shumë të vogla, vendet më të prekura nga kjo epidemi janë Republika Çeke, me një mesatare prej rreth 3100 rastesh në ditë gjatë shtatë ditëve të fundit, ose 124% më shumë se javën e kaluar. Pasohet nga Hungaria, me 2,000 raste në ditë, një rritje prej 104% dhe Polonia (afër 5,000 raste, + 95%).

Krahasuar me popullsinë e tyre, vendet që aktualisht kanë shënuar më shumë raste në Europë janë Letonia me 880 raste për 100,000 banorë në shtatë ditët e fundit, Estonia (753) dhe Gjeorgjia (736).

Numri i viktimave ka shënuar gjithashtu rritje në rajon: 3,120 viktima u regjistruan mesatarisht çdo ditë javën e kaluar, një rritje prej 16% krahasuar me një javë më parë. Një mesatare prej më shumë se 3,000 viktimash në ditë janë regjistruar që nga fillimi i majit, por këto shifra mbeten larg rekordit të 5,735 viktimave në 24 orë në Europë për javën 14-20 janar.

Më shumë se një e treta e vdekjeve të regjistruara në Europë janë aktualisht në Rusi (1051 viktima mesatarisht çdo ditë), e ndjekur nga Ukraina (485) dhe Rumania (420).

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!