Europa dhe Conference League/ Sot prihen biletat e fundit, Roma dhe Juve shpresojnë finalen italiane

schedule09:39 - 18 Maj, 2023

schedule 09:39 - 18 Maj, 2023

Sot në mbrëmje do të luhen gjysmëfinalet e dyta në Europa dhe Conference League.

Leverkusen do të presë në Gjermani skuadrën e Mourinho, Romën, për të tentuar një përmbysje në shtëpi. Sfida e parë në “Olimpico” përfundoi me rezultatin minimal 1-0 për kryeqytetasit e italisë. Përballja e parë ishte pothuajse e barabartë në performancë dhe statistika, por një gol i Bove në minutën e 63-të i dha një fije shpresë Romës për të prekur finalen, edhe pse sot do të jetë e vështirë në Gjermani.

Gjysmëfinalja tjetër në Europa League do të jetë ajo mes Sevilla dhe Juventusit. Përballja e parë përfundoi me barazimin 1-1, me spanjollët që kaluan të parët në avantazh në minutën e 26-të me anë të En Nesyri. Barazimi emocionues erdhi në “frymën e fundit”, ku në minutën e 97-të qendërmbrojtësi Gatti shënoi golin e shpresës. Të dyja skuadrat sot futen në fushë me disa mungesa të rëndësishme, por për Juventusin do të jetë e vështirë pasi do të ndeshen në shtëpinë e “Mbretëreshës” të këtij kompeticioni.

Në Conference League, gjysmëfinalet do të jenë AZ Alkmaar-West Ham dhe Basel-Fiorentina.

Përballja e parë mes AZ Alkmaar dhe anglezve të West Ham përfundoi me një fitore të këtyre të fundit në shtëpi. Të parët që kaluan në avantazh ishin holandezët falë një goli në pjesën e parë, por West Ham përmbysi gjithçka në pjesën e dytë.

Në gjysmëfinalen tjetër të këtij kompeticioni, Fiorentina do të ketë një detyrë të vështirë për të përmbysur gjithçka në Zvicër. Në Firence, në gjysmëfinalen e parë, “La Viola” u befasua në shtëpi nga zvicerianët pasi Basel përmbysi shifrat nga 1-0 në 1-2.

Në të katërta gjysmëfinalet e sotme gjithçka është e hapur dhe nuk ka një kualifikues të sigurt. Të katërta ndeshjet do të startojnë sot në mbrëmje në orën 21:00./h.ll/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!