EuroMilan: Ante Rebic lideri i Milanit, kalohet me sukses Torino

schedule22:31 - 17 Shkurt, 2020

schedule 22:31 - 17 Shkurt, 2020

Europa nuk është një ëndërr për Milanin. Skuadra e madhe italiane shpreson pas fitoreve në Serinë A, falë Zlatan Ibrahimovic e kroatit Rebic

Edhe kur duket sikur nuk është, mbetet i rëndësishëm. Zlatan Ibrahimovic mund të marrë një vlerësim aspak pozitiv për atë që bëri këtë të hënë, por personaliteti i suedezit të madh e ndihmoi Milanin që të arrinte një tjetër sukses.

Nota e “La Gazzetta dello Sport” nuk ishte më e lartë se 6-të, veçse rëndësi ka prania në fushë e Ibrës, edhe kur humbet gol të sigurt.  Skuadra kuqezi mposhti 1-0 Torinon, duke bindur trajnerin Stefano Pioli se e ardhmja është e mire, madje mund të synohet edhe Europa.

“Sonte ishte një ndeshje shumë pozitive, – u shpreh trajneri milanist, – ne luajtëm shumë mirë në pjesën e parë, dhe mund të arrijmë aty ku duhet. Duhej ta kishim vrarë ndeshjen në pjesën e dytë kur kishim rastet. Gjithsesi, i përballuam vështirësitë, duke luajtur të bashkuar e duke pësuar shumë pak rreziqe. Kjo ishte, pra, një tjetër javë e mirë”.

Kroati Ante Rebic shënoi golin e vetëm në “San Siro”, në fitoren që ndihmoi Milanin të ngjitej në kuotën e 35 pikëve, duke qenë tani në një nivel me Parmën e Veronën, dhe jo larg Romës, pra me shpresë për kualifikim të paktën për në Ligën e Europës.

Për sulmuesin e marrë hua ishte goli i 6-të në 7 ndeshjet e fundit. “EuroMilan nën shenjën e kroatit, – titullon “La Gazzetta dello Sport”, që ka pikërisht Rebiçin si foto të kopertinës, ndërsa bën lojë fjalësh me mbiemrin e tij dhe shkronjën anglisht “ë” për fitoren”.

Edhe pse mbeten ende dyshime, sërish skuadra e madhe milaneze duket si e rikthyer. Ndoshta, jo me një projekt afatgjatë, por gjithsesi me ndihmën e Ibrës mund të arrihen fitoret, të shtohen të ardhurat, dhe të synohet sërish lavdia e dikurshme në Itali dhe në Champions. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!