Një ditë para mbërritjes në Shqipëri, eurodeputeti Kristian Dan Preda, pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian, thotë se vendi po kalon një krizë të thellë politike. Në një intervistë ekskluzive për ABC Neës, Preda shprehet se deputetët kanë përgjegjësi për mandatin e dalë nga populli. Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, eurodeputeti thekson se nëse forcat politike bien dakord, Europa do t’i mbështesë.
Pyetje: Misioni i delegacionit të komisionit të punëve të jashtme në Tiranë vjen në një situatë të re për vendin. Opozita ka hequr dorë nga mandatet parlamentare. Një vendim esktrem që ajo konsideron si një përgjigjje të jashtëzakonshme për një situatë të jashtëzakonshme. Cili është qëllimi i misionit të Parlamentit Europian në Tiranë?
Cristian Dan Preda, eurodeputet: Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian ka vendosur të dërgojë një mision në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, në dy vendet që presin hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së në qershor. Kam mbështetur gjithnjë hapjen e negociatave me të dyja vendet. Vendimi është shtyrë një vit, sepse ka patur bllokime, por vendet e meritojnë hapjen e negociatave. Por para mbërritjes tonë në Shqipëri, konstatojmë që ka një krizë të thellë, shumë shqetësuese. është një situatë që e hasim edhe në vendet e tjera të rajonit, pasi ka një vështirësi për të bërë opozitën në këto vende. Shumë shpesh ka bojkot të Parlamentit dhe tani ka një vendim esktrem të opozitës në Shqipëri që kanë lënë mandatet parlamentare. Një gjest i fortë. Personalisht mendoj se kultura parlamentare kërkon një prezencë të opozitës.Të zgjedhurit kanë përgjegjësi për mandatin. Është vullneti i popullit që duhet respektuar. Por nuk ka parti të opozitës që bojkotojnë apo marrin një vendim të tillë pa ju referuar karakterit të një situate të jashtëzakonshme në vend. Interesi i Shqipërisë është që të mos humbasë këtë rast të hapjes së negociatave. Ka rrezik që opozita të stigmatizohet si bllokuese dhe është për të ardhur keq, sepse e di që eurodeputetët e opozitës janë pro-europianë. Dhe nga ana tjetër, ekziston rreziku që pushteti të bëhet edhe më i fortë se ç’është sot, pra një devijim autoritar që është një pengesë edhe më e madhe lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pra, unë si mik i popullit shqiptar do të isha shumë i trishtuar të shoh që kjo ndarje totale e qeverisë me opozitën rrezikon të bllokojë hapjen e negociatave. Sepse të jemi të qartë. Ka ende zëra në Bashkimin Europian që nuk janë shumë entuziastë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe mund t’a përdorin situatën aktuale për të thënë jo. Mendoj se duhet dialog midis dy palëve. Nuk mendoj, se kemi kohë për një ndërmjetësim në Shqipëri, sepse të enjten duhet të nisemi për Shkup. Por mesazhi që do përçojmë është: Bini dakort për të negociuar.
Pyetje: A i mbështesni zgjedhjet e parakohshme? Eshtë një opsion i mundshëm për të cilin flitet këto kohë.
Cristian Dan Preda: Është një situatë krejtësisht e re. Nëse forcat politike bien dakord për organizimin e zgjedhjeve të reja, siç ka ndodhur më parë, Europa do ta mbështesë, por ne nuk mund të imponojmë një zgjidhje. Kriza duhet zgjidhur. Nëse situata është e tillë, që sytë janë i vetmi mjet komunikimi, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje. Por nëse politikanët do të kenë pak më zgjuarsi sesa po na tregojnë këto ditë, mund të gjendet një zgjidhje që nuk kalon përmes zgjedhjeve.
Pyetje: Qytetarët që manifestojnë në rrugë kanë një mesazh jo vetëm për qeverinë që dhunon shtetin ligjor dhe të drejtat themelore, por edhe për Bashkimin Europian dhe veçanërisht Komisionit Europian për mbështetjen pa kufi, me raporte përgëzuese për një qeveri të tillë në Shqipëri apo vende të tjera të Ballkan dhe jo për vënien e gishtit te problemi. A mendoni, se qasja për zgjerimin duhet të ndryshojë?
Cristian Dan Preda: Unë vij nga një vend që ka kaluar nga këto faza, Rumania. Kemi njohur arritjen e standardeve europiane për t’u bërë shtet anëtar përmes hetimeve dhe vënien para drejtësisë të atyre që ishin përgjegjës nga të gjitha partitë. Tani njohim hapa prapa, ç’ka tregon se procesi është i vështirë. Ka një vullnet të politikanëve për të kontrolluar drejtësinë. Pra ka një përplasje midis atyre që duan shtetin ligjor, barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit dhe një drejtësi të pavarur dhe atyre që e duan korrupsionin, që duan të kontrollojnë gjykatat dhe drejtësinë, sepse ata kanë pushtetin, fuqinë. Problemi është se në Shqipëri kjo s’ka filluar ende. Korrupsioni është një shqetësim i madh për të gjitha vendet e Ballkanit. Personalisht mendoj, se është një nga pasojat perverse të komunizmit. Pra, korrupsionin e shohim më shumë në krah të atyre që kanë qenë të lidhur me komunizmin. Pasi ky ishte regjimi komunist. Kontrolli i drejtësisë, sigurimi i mosndëshkimit të parlamentarëve dhe populli që vuante. Tani kemi ndryshur sistem. Kemi zgjedhje kudo, por kemi korrupsion si një trashëgimi të rëndë të komunizmit. Unë mendoj, se duhet vendosur gishti te problemet. Duhet të themi: Ja kush janë institucionet që janë të politizuara dhe nuk kryejnë detyrën e tyre. Në Shqipëri, procesi i Vettingun e komplikoi shumë dialogun. Ne menduam se do shihnim një dalje nga situata dhe tani gjendemi me një krizë politike që mbart edhe çështjen e korrupsionit, trafiqeve, që e komplikon edhe më shumë perceptimin e shqiptarëve. Ka shtete anëtare që e kundërshtojnë hapjen e negociatave pasi tregojnë me gisht raste konkrete. Duhet një angazhim tërësor për të trajtuar këto çështje për të mirën e qytetarëve.
Pyetje: Ka protesta anti-qeveritare në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi, në Bosnjë kudnër Dodik. Tregon një revoltë të qytarëve kundër dhunimit të shtetit ligjor dhe të drejtave, skandaleve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe situatës shqetësuese ekonomike. A kuptohet ky mesazh në Parlamentin Europian. Pra, po integrimit europian, por jo fokusimit te BE-së vetëm te stabiliteti, por edhe cilësia e demokracisë dhe të drejtave në këto vende?
Cristian Dan Preda: Qytetarët e kanë kuptuar vërtet Europën. Bashkimi Europian do dy gjëra. Së pari, që shtetet e Ballkanit të anëtarësohen dhe paralelisht të kryhen reformat kyçe për pavarësinë e drejtësisë dhe zhdukjen e pandëshkueshmërisë. Edhe në Rumani shohim ikje masive, pasi qytetarët shohin kthimin në një periudhë ky nuk kishte drejtësi. Kur qytetarët shohin që nuk ka drejtësi, dalin masivisht në rrugë për të protestuar dhe nëse nuk ka ndryshim nga klasa politike dhe institucionet, atëherë ata zgjedhin të ikin nga vendi. Gjendemi në një situatë krize të ikjes masive të qytetarëve, që do rëndojë për një periudhë afatgjatë edhe për Ballkanin Perëndimor, por edhe vendet e Europës Qëndrore dhe Orientale. Pra, ky mesazh që vjen nga qytetarët e dëshpëruar që dalin në rrugë është një mesazh kyç. Një mesazh që është dëgjuar në Bruksel dhe do vazhdojmë që të luftojmë për popujt e Ballkanit Perëndimor./abcnews.al