Ribotohet deklarata e eurodeputetëve për “Zgjedhoren” dhe ndryshimet Kushtetuese

schedule10:02 - 17 Korrik, 2020

schedule 10:02 - 17 Korrik, 2020

Parlamenti Europian ka publikuar një version të ri të deklaratës së tre eurodeputetëve David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis ku i kërkojnë maxhorancës që të miratojë pa ndryshime marrëveshjen e 5 qershorit me argumentin se kjo do të ndihmonte në mbajtjen e konferencës së parë të negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Tre eurodeputetët kërkojnë gjithashtu nga maxhoranca që të bëjë ndryshimet pa prekur thelbin marrëveshjes së 5 qershorit.

Nga deklarata është hequr fraza: Çdo modifikim i marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për rrjedhojë të ngadalësojë procesin e integrimit europian.

Në vend të saj është shtuar fraza:  Është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje që të mund të mundësojë dialogun dhe konsensusin mes partive politike në mënyrë që të mbahet konferenca e parë e negociatave për integrimin e vendit në BE. 

Duke nënvizuar se çdo vënd ka të drejtën të përcaktojë vetë sistemin elektoral që do të përdorë sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit të brendshëm.

Megjithatë, sipas eurodeputetëve, është e rendësishme që në këtë drejtim të aplikohen shembujt më të mirë ndërkombëtar dhe që ndryshimet të bëhen në mënyrë transparente dhe të fillojnë të paktën një vit para zgjedhjeve elektorale të planifikuara.

“Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë për të arritur rezultate thelbësore në drejtim të reformave që po ndërmerren”, shprehen eurodeputetët.

Pavarësisht gjuhës së zbutur,në titull eurodeputetët shprehen se “Shqipëria duhet të përmbushë angazhimet nëse do të fillojë negociatat e integrimit“.

Deklarata e e përbashkët e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme David McAllister (EPP, DE), Raportuesit për Shqipërinë Isabel Santos (S&D, PT) dhe Kryetarit të Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis (EPP, EL), u fshi mbrëmë disa orë pas botimit dhe i rikthye sot në faqen e Parlamentit Europian me disa ndryshime, të cilat thelbin e ruajnë të njëjtë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!