Euro vijon forcimin me ritme të shpejta kundrejt lekut. Ndërkohë që monedha shqiptare vijon të dobësohet përballë valutave të huaja. Një euro aktualisht po këmbehet me mbi 109 lekë duke prekur nivelin më të lartë në tre muaj.
Ndërkohë vetëm në tre ditë ka fituar më shumë se 4 pikë. Në fillim të javës një euro këmbehej me rreth 105 lekë. Agjentët e tregut të këmbimit valutor e shpjegojnë këtë forcim të shpejtë të euros me kërkesën e lartë për valutë nga bizneset por edhe nga bankat e nivelit të dytë.
Po ashtu mendohet se ky forcim ka edhe efekt psikologjik të lidhur përfundimin e sezonit turistik dhe largimin e turistëve të huaj si dhe emigrantëve që ishin kthyer në Shqipëri gjatë verës. Një forcim të konsiderueshëm ka pësuar edhe dollari, i cili tashmë ka tejkaluar nivelin e 100 lekëve.
Forcimi i euros është pozitiv për eksportuesit shqiptar, të cilët i kanë kontratat në euro por është lajm negative për të gjithë ata që kanë kredi në euro pasi do të paguajnë më shumë për këstin e radhës së kredisë.
Më herët Banka e Shqipërisë kishte paralajmëruar se kursi I këmbimit do të shkonte drejt stabilizimit gjatë shtatorit por sipas ekspertëve ky forcim i valutave të huaja kundrejt lekut mund të jetë edhe momental./abcnews.al