Euro në vend numëro/ Këmbehet për 103.7 lekë. Dollari zhvlerësohet, zbret në 95.5 lekë

schedule14:06 - 22 Shkurt, 2024

schedule 14:06 - 22 Shkurt, 2024

Monedha europiane ka nisur dobësimin me ritme të shpejta përballë lekut shqiptar pas disa pikëve që fitoi gjatë janarit. Ndërkohë që revanshi i lekut vijon  pothuajse kundrejt të gjitha valuatave. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro ka zbritur në kufijtë e 103 lekëve nga 104.23 që ishte rreth një javë më parë.

Viti 2024 sipas agjenteve të kursit të këmbimit pritet të ketë një mbiçmim edhe më të fortë të lekut si pasojë e rritjes së numrit të turistëve por edhe investimeve të prashikuara.

Një lekë i fortë është një faktor pozitiv, i cili ka ndikuar në mbajtjen e inflacionit nën kontroll. Në një analizë Banka e Shqipërisë thekson se  mbiçmimi vjetor i lekut shënoi 10.4% gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar , nga 10.2% që ishte më parë.

Gjatë  muajit  janar,  leku  është  dobësuar ,  sikurse  është  tipike në këtë periudhë ndërsa  Kursi euro/lek shënoi nivelin mesatar prej 103.9 lekësh në  javët e para të këtij viti.

Por në javët e fundit të shkurtit ka ndryshuar tendenca dhe euro i është kthyer dobësimit. Mbiçmimi  i  lekut  ndaj  euros  ka  diktuar  edhe  forcimin  e  tij  ndaj  dollarit  amerikan gjatë dy muajve të fundit të vitit.

Në tre javët e para të muajit janar, dollari amerikan u kuota mesatarisht me 95.2 lekë, ose 11.8% më pak se një vit më parë. Gjatë këtij viti Banka e Shqipërisë ka parashikuar që ët tërheqë nga tregu rreth 330 milion euro përgjatë gjithë vitit për efekt të rezervës valutore por edhe për të stabilizuar kursin e këmbimit.

Ankandi i parë për tërheqjen e rreth 10 milion eurove  u  realizua në 16 shkurt. Në krahasim me vitin e kaluar Banka Qendrore ka rritur ndërhyrjen me gati 30 milion euro.

Viti që lamë pas konsiderohet si viti i lekut përballë valutave të tjera. Euro është nënçmuar duke tejkaluar edhe pritshmëritë e agjentëve të tregut me më shumë se 18 pikë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!