Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Euro, monedhë zyrtare pas hyrjes në BE/ Civici: Zëvendësimi i lekut mund të zgjasë nga 7-12 vjet

schedule20:27 - 17 Korrik, 2026

schedule 20:27 - 17 Korrik, 2026

TIRANË– Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për adoptimin e euros si monedhë kombëtare. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, parashikon kuadrin ligjor që do të zbatohet pas anëtarësimit të vendit në Eurozonë.

Sipas draftit, euro do të bëhet monedha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, duke zëvendësuar lekun. Banka e Shqipërisë do të jetë institucioni përgjegjës për emetimin, hedhjen në qarkullim dhe administrimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.

Zhvillimi u komentua nga eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, në ABC News.



“Ky është një projektligj i pritur prej një kohe relativisht të gjatë, pasi ligji i fundit daton në vitin 1997. Që prej asaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra dhe janë shtuar kërkesa të reja. Këtë herë, projektligji pasqyron edhe fazën shumë të rëndësishme ku ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kapitulli 17, që lidhet me Bankën Qendrore, sistemin bankar, sistemin monetar dhe atë financiar, është një nga kapitujt më të rëndësishëm të negociatave. Ky draft, i hedhur për konsultim publik, vjen në momentin e duhur dhe adreson sfidat me të cilat duhet të përballemi”, tha Civici.

Sipas tij, hapi i parë mbetet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe pastaj vjen dhe zëvendësimi i lekut me euron.

“Realizimi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që pritet të ndodhë brenda tre ose katër viteve të ardhshme, është hapi më i rëndësishëm. Më pas, Shqipëria do të integrohet në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, do të bëhet pjesë e sistemit bankar evropian, do të përfaqësohet në Bankën Qendrore Evropiane dhe do të nisë procedurat për përfshirjen në Eurozonë dhe zëvendësimin e lekut me euron”, u shpreh ai.

Eksperti theksoi se bëhet fjalë për një proces afatgjatë dhe jo për një ndryshim që mund të ndodhë menjëherë.

“Ky është një proces relativisht i gjatë. Nuk është diçka që mund të ndodhë nesër. Fillimisht, Shqipëria duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian. Kjo fazë është shumë e rëndësishme, pasi kërkon përshtatjen e legjislacionit dhe të sistemit bankar me standardet evropiane.

Procesi i zëvendësimit të lekut me euron, edhe në skenarin më optimist, mund të realizohet brenda shtatë viteve. Në raste të tjera, siç ka ndodhur në disa vende të BE-së, ai mund të zgjasë 10 deri në 12 vjet. Gjithçka varet nga ritmi dhe aftësia e Shqipërisë për të përmbushur reformat e kërkuara”, përfundoi Civici./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!