Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

“Euro do vijojë rënien”, Vataj: Raporti i Standard & Poor’s? Rrit besueshmërinë e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar

schedule14:27 - 25 Mars, 2024

schedule 14:27 - 25 Mars, 2024

Pasi shfaqi një qëndrueshmëri në kursin e këmbimit në raport me lekun, euro i është kthyer rënies. Monedha europiane ka zbritur në 102.9 lekë. Prej fillimit të vitit, euro ka humbur gati 2 pikë. Kjo rënie duket e pazakontë pasi nuk përkon me periudhën që shoqërohet me prurjet të larta turistësh.

Drejtori i Shoqatës së zyrave të këmbimit valutor, Dritan Vataj thotë se euro do të vijojë të pësojë ulje në muajt në vazhdim. Në një intervistë për “Money Report”, ai tha se ndikimin kryesor në rënien e monedhës evropiane e ka pasur investimet e paluajtshme, remitancat dhe turizmi.

“Ndikimin kryesor e kanë pasur elementë të aktivitetit të përditshëm. Investimet në pasuritë e paluajtshme vazhdojnë të jenë një trend i fuqishëm, ka ndikuar drejtpërdrejt sikundër kemi parë edhe vazhdimisht rritje të remitancave. Turizmi nuk është në bumin e tij por fluksi mbetet i lartë. Është prekur edhe nga kjo gjë pavarësisht se kemi rritje të importit dhe ulje të eksportit por konsumi ka mbetur në ulje, detyrimisht ka ndikuar që euro të pësojë një farë zhvlerësimi. Pritshmëritë janë për një fluks në rritje të turizmit, kështu që do ndikojë drejtpërdrejt në uljen e euros. Edhe investimet direkte kanë njohur një lloj rritje por do të ketë edhe rritje më të mëtejshme. Çmimi i euros ndikohet edhe nga perceptimi dhe perceptimi për një fluks të shtuar të euros në treg në muajt në vijim, do të bëjë që çmimi i saj do të ulet. Do të kemi kurs më të ulët sesa këtë 3 mujor të parë.“, u shpreh Vataj.



Duke u ndalur tek raporti i Standart & Poors, që e vlerëson pozitivisht ekonominë e Shqipërisë, Vataj tha se kjo rrit besueshmërinë e vendit në nivel ndërkombëtar.

“Çdo lloj rritje në vlerësimin e kredibilitetit të ekonomisë është pozitiv. Nxit frymën pozitive të ekonomisë, rrit besueshmërinë e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar. Por po ta shikojmë raportin në tërësinë e vet, shikojmë që elementët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen ka qenë ekonomia dhe politikat në një farë mase stabël. Motorët kryesorë të ekonomisë janë të lidhur me remitancat, rritja e turizmit dhe e pagave. Pavarësisht nivelit të lartë të informalitetit në sektorin privat, rritja e pagave në sektorin publik ka qenë e ndjeshme. Në një farë mënyrë investimi në rritjen e  pagave përkthehet në rritjen e konsumit dhe në mënyrë indirekte ndikon edhe në rritjen ekonomike të vendit, çka është përkthyer në përformancë më të mirë të taksave.“, tha ai.

Sipas tij, ekuilibri i euros ka ndihmuar qeverinë në uljen e borxhit publik.

“Ky është një ndër elementët që është marrë parasysh në raport. Sikundër e kemi thënë kemi nivel të lartë të borxhit publik në valutë të huaj. Kemi mbi 50 përqind të borxhit publik në valutë të huaj dhe ky lloj ekuilibri i euros ka ndihmuar qeverinë. Qeveria të hyrat i ka në lekë dhe ka qenë një pozitë e favorshme për qeverinë për të blerë euro dhe ulur nivelin e borxhit.”, theksoi Vataj./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!