Ishin sfida ku favoritët duhet të fitonin dhe ashtu ndodhi. Danimarka dhe Belgjika triumfuan në sfidat e para miqësore të këtij muaji, me “Të Kuqtë” skandinavë që mposht me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, Kombëtaren e Suedisë, ndërsa “Djajtë e Kuq” të Belgjikës mundën me rezultatin e pastër, 2 me 0, Malin e Zi.
Kështu, në “Parken Stadium” të Kopenhagenit djemtë e Kasper Hjumland luftuan deri në fund për fitoren, me pjesën e parë të sfidës, që u mbyll me rezultatin e barabartë, 1 me 1, pas golave, të Hojbjerg e Isak, në minutat 2′ e 9′, ndërsa fitorja e “vulos” në të 86′-tën, nga kapiteni Christian Eriksen.
Në krahun tjetër, për “Djajtë” e Tedesco mjaftoi nga një gol në secilën pjesë për të siguruar fitoren e parë në këtë minifazë përgatitore. Goli i parë i sfidës erdhi në minutën e 44′-të nga “arkitekti” i mesfushës, Kevin De Bruyne, ndërsa rezultati u “hipotekua”, në minutën e 93′-të nga “ylli” i Arsenal, Leandro Trossard.
Në sfidat e radhës, “Të Kuqtë” danezë do të përballen me “Vikingët” e Norvegjisë, më 8 qershor para se të fillojnë rrugëtimin e tyre në Kampionatin Evropian të futbollit, më 16 qershor përballë Sllovenisë, ndërsa Belgjika do të zhvillojë po në datën 8 sfidën e radhës, kësaj here përballë Luksemburgut, para se të nisë rrugëtimin në Evropian, me sfidën përballë Sllovakisë më 17 qershor. /i.m /abcnews.al
SHIKONI GOLAT
Danimarkë 2 – 1 Suedi
Belgjikë 2 – 0 Mali i Zi