EURO 2024/ Anglia fiton thellë ndaj Bosnjes, Gjermania “ngec” në testin e parë ndaj Ukrainës

schedule22:56 - 3 Qershor, 2024

schedule 22:56 - 3 Qershor, 2024

Anglia i filloi përgatitjet në prag të Kampionatit Evropian të futbollit, me triumfin e thellë 3 me 0 ndaj Bosnje Hercegovinës në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “St.James Park” të “Bardhezinjve”, të Newcastle United

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa në fragmentin e dytë të lojës, “Tre Luanët” shënuan plot 3 gola, duke kënaqur tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit.   Sulmuesi i Chelsea, Cole Palmer, ishte ai që zhbllokoi sfidën në minutën e 60′-të, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë, ndërkohë që Alexander-Arnold dhe Harry Kane, shënuan dy golat e tjerë në minutat 85′ dhe 89′ për të “vulosur” shifrat në 3-0. 

Ndërkaq, vlen të theksohet fakti se në Evropianin e Gjermanisë, Anglia bën pjesë në Grupin C së bashku me Slloveninë, Danimarkën dhe Serbinë. Ndeshjen e parë “3 Luanët” do e luajnë më 16 qershor ndaj Serbisë në orën 21:00.

Në krahun tjetër, Gjermania nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në miqësoren e zhvilluar në stadiumin e Nurembergut ndaj Ukrainës, teksa pavarësisht përpjekjeve të shumta, “Panzerat” nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës, duke regjistruar 5 gjuajtje në kuadrat dhe plot 13 jashtë portës. 

Ndërkaq, tepër interesant është fakti se i gatshëm në këtë duel ishte dhe sulmuesi me origjinë shqiptare, Brajan Gruda, i cili e ndoqi duelin nga stoli, teksa mbante fanellën me numrin 9. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!