Euro 2020/ Lajm jo i mirë nga Spanja, “San Mames” nuk pret dot tifozë

schedule14:59 - 8 Prill, 2021

schedule 14:59 - 8 Prill, 2021

Kampionati Europian është më afër se kurrë, por ende ka shumë pikëpyetje për sa i përket pranisë së tifozëve në shkallët e stadiumeve ku do të zhvillohen ndeshjet. Një nga impiantet e përzgjedhura nga UEFA është edhe ai i Athletico Bilbaos, “San Mames”, por një lajm i keq vjen nga Spanja. Federata Spanjolle e Futbollit e konsideron të pamundur praninë e spektatorëve në takimet që do të zhvillohen, për shkak të masave që ka vendosur qeveria baske.

“Kërkesa për të vaksinuar 60% të popullsisë në Bilbao dhe pjesën tjetër të Spanjës para 14 qershorit është e pamundur dhe si rrjedhojë ndeshjet do të zhvillohen pa publik. Vendimi që do të marrë UEFA në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve apo jo në Bilbao nuk do të jetë një përgjegjësi e jona”, shkruhet në deklaratën e Federatës.

 

Duhet theksuar se ky vendim është paksa paradoksal. Në Spanjë kufizimet aktuale nuk janë aq të rrepta sa në Itali, madje disa aktivitete sportive po zhvillohen me praninë e tifozëve. Megjithatë, shteti Bask është një nga zonat më të prekura nga pandemia për momentin dhe prandaj ka vendosur masa më të rrepta se rajonet e tjera të Spanjës. Ende nuk dihet nëse UEFA do ta zëvendësojnë Bilbaon me ndonjë qytet tjetër, por shumë shpejt pritet një reagim nga qeveria e futbollit europian. /abcnews.al