Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) këtë të premte në një deklaratë për mediat ka theksuar se situata e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës është e qetë, por ende e brishtë dhe se misioni mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha ngjarjet që ndikojnë sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Shefi i Misionit të EULEX-it ka komentuar edhe tërheqjen e 25 për qind të anëtarëve të Policisë së Kosovës nga komunat në veri,ku thekson se një tërheqje të tillë Kosova duhet ta bëjë vazhdimisht me vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in, në mënyrë që të vlerësohet mundësia e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore.
Misioni po ashtu tha se gjendja aktuale në komunat e veriut është e qetë dhe se një numër më i vogël i njerëzve po mblidhen para komunave në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Siç kanë thënë ata, të gjitha përpjekjet aktualisht janë të përqendruara në deeskalimin e situatës në veri të Kosovës./abcnews.al